Ushtrimi “Steadfast Defender 2024” do të përfshijë të gjitha 31 shtetet anëtare plus shtetin kandidat Suedinë, ka njoftuar gjenerali amerikan, Christopher Cavoli, një prej komandantëve kryesorë të NATO-s, në një konferencë për media.
Ushtrimi, që përbëhet nga seri të stërvitjeve më të vogla ushtarake, do të shtrihet nga Amerika Veriore në krahun lindor të NATO-s, afër kufirit me Rusinë. Stërvitja do të përfshijë 50 anije ushtarake, 80 avionë e mbi 1100 automjete luftarake.
Ushtrimi – më i madhi që nga stërvitja “Reforger” e 1988-s gjatë Luftës së Ftohtë – vjen teksa NATO-ja po e teston aftësinë mbrojtëse si alarm pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.
Aleanca e udhëhequr nga SHBA-ja ka dislokuar mijëra trupa në krahun lindor dhe ka hartuar plane më të gjera që nga rënia e Bashkimit Sovjetik për ta mbrojtur veten nga një sulm i mundshëm rus.
Admirali Rob Bauer, shef i komitetit ushtarak të NATO-s, ka thënë se shkalla e ushtrimit është demonstrim i gatishmërisë së re të aleancës.
“Ky është numër rekord i trupave që mund të sjellim dhe të kryejmë stërvitje të kësaj madhësie, përtej aleancës, përtej oqeanit, nga SHBA-ja në Evropë”, ka thënë ai.
Bauer ka paralajmëruar edhe shoqëritë civile në shtetet anëtare të NATO-s që duhet të përgatiten për luftë të mundshme me Rusinë.
“Duhet ta kuptojmë se nuk jemi në paqe dhe për këtë arsye i kemi planet, dhe prandaj po përgatitemi për konflikt”, ka thënë ai. “Nuk po kërkojmë luftë, por nëse na sulmojnë duhet të jemi të gatshëm”.
Komandanti i lartë i NATO-s ka thënë se forcat tokësore ruse kanë pësuar rëndë në luftën në Ukrainë, por janë ato ajrore e detare që mbesin “forca të konsiderueshme”.
Përpjekjet e Moskës për të rindërtuar forcat e saj po pengohen nga sanksionet perëndimore, ka shtuar ai, por Kremlini megjithatë ende po arrin të rrisë prodhimin e artilerisë dhe raketave. Në terrenin në Ukrainë, Bauer ka thënë se ende po vazhdojnë luftime intensive e se fronti nuk po “lëviz në asnjërën anë”.
“The Telegraph” ka raportuar se Britania do t’i dislokojë 20 mijë ushtarë në këtë stërvitje. Ushtrimet do të mbahen në Gjermani, Poloni e shtetet baltike.