2.5 C
New York
Thursday, December 26, 2024

Buy now

NATO fillon stërvitjen më të madhe ushtarake prej dekadash

- Advertisement -

NATO filloi të mërkurën stërvitjen më të madhe ushtarake që nga periudha e Luftës së Ftohtë dhe një luftëanije amerikane u largua nga Shtetet e Bashkuara për të kaluar përmes Atlantikut drejt territorit të aleancës në Evropë.

Aleanca ushtarake perëndimore ka thënë se rreth 90 mijë forca do të marrin pjesë në stërvitjen disamujore të quajtur “Steadfast Defender 2024” (“Mbrojtësi i Vendosur 2024”). Operacioni stërvitor ka për qëllim të vërë në provë mbrojtjen e NATO-s, ndërkohë që vazhdon lufta e Rusisë në Ukrainë.

“Aleanca do të demonstrojë aftësinë e saj për të përforcuar arenën euro-atlantike nëpërmjet lëvizjes transatlantike të forcave nga Amerika e Veriut”, tha Gjeneral Christopher Cavoli, komandanti i përgjithshëm suprem i NATO-s në Evropë.

“Steadfast Defender 2024 do të jetë një demonstrim i qartë i unitetit tonë, fuqisë dhe vendosmërisë për të mbrojtur njëri-tjetrin, vlerat tona dhe rendin ndërkombëtar të bazuar tek rregullat”, tha Gjenerali Cavoli.

Stërvitja është projektuar si një simulim i përgjigjes së aleancës prej 31 vendesh anëtare ndaj një sulmi nga një vend rival, si Rusia.

Stërvitja do të përbëhet nga një seri manovrash më të vogla që do të shtrihen nga Amerika e Veriut dhe deri në krahun lindor të NATO-s, pranë kufirit me Rusinë.

Pritet të marrin pjesë rreth 50 luftëanije, 80 avionë dhe mbi 1,100 mjete luftarake tokësore.

Kjo është stërvitja më e madhe që nga viti 1988 kur u mbajt stërvitja “Reforger” gjatë Luftës së Ftohtë. Ajo vjen në një moment kur NATO ka transformuar mbrojtjen e saj, që kur Rusia filloi sulmin ndaj Ukrainës në vitin 2022.

Aleanca ka dërguar mijëra forca ushtarake në krahun e saj lindor dhe ka përgatitur planet më të zgjeruara që nga rënia e Bashkimit Sovjetik, për t’u mbrojtur nga një sulm i Rusisë. /VOA

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit