29.1 C
New York
Friday, June 6, 2025

Buy now

NATO drejt rritjes së shpenzimeve për mbrojtje

- Advertisement -

Ministrat e Mbrojtjes të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) do të takohen më 5 qershor para samitit të madh vjetor që do të mbahet më 24 dhe 25 qershor, kur 32 krerët e shteteve të aleancës ushtarake, përfshirë presidentin amerikan, Donald Trump, do të mblidhen në Hagë.

Takimi ka të bëjë vetëm me një gjë: paratë. Në këtë takim zyrtarët pritet të bien dakord për objektivin e ri të shpenzimeve të NATO-s.

Teksa shumica e anëtarëve të aleancës tani shpenzojnë 2 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm në mbrojtje, objektivi i radhës është 3.5 për qind, apo shpenzim për kapacitete ushtarake sikurse janë tanket, raketat dhe municionet.

Sipas zyrtarëve të NATO-s, të cilët folën për Radion Evropa e Lirë, vetëm Spanja ka problem me objektivin prej 3.5 për qind, por pritet të bëjë kompromise në takimin ministror.

Spanja është një nga pak shtetet që ende nuk përmbush bazën e shpenzimeve prej 2 për qind, duke arritur vitin e kaluar vetëm më 1.28 për qind dhe rritja e shpenzimeve ushtarake që ishte parashikuar, duket se është bllokuar për momentin.

Çështja në Madrid lidhet me premtimin e kamotshëm të Qeverisë së qendrës së majtë ndaj partnerëve të koalicionit për t’i bërë gjuhë zyrtare të Bashkimit Evropian gjuhën katalanase, baske dhe galiciane. Por, një çështje e tillë kërkon unanimitet në mesin e shteteve të bllokut, gjë të cilën Spanja dështoi ta siguronte kur kjo çështje u vendos në agjendën në Bruksel më 27 maj.

Ndërsa çështja e gjuhëve nuk është përjashtuar plotësisht, ende nuk është caktuar asnjë datë për një vendim të mundshëm mbi këtë temë.

Një tjetër objektiv

Objektivi prej 3.5 për qind nuk është çështja e vetme që pret një vendim. Po ashtu duhet të ketë një objektiv shpenzimesh prej 1.5 për qind në atë që mund të cilësohet si objektiv i butë, duke bërë që totali i shpenzimeve të arrijë në 5 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm.

Një nga çështjet kryesore tani, me negociata që pritet të vazhdojnë deri në samit, është se çfarë lloj shpenzimesh mund të përfshihen në atë 1.5 për qind. Sigurisht kjo do të përfshinte forcimin e përgatitjes civile dhe mbrojtjen kibernetike, por aleatët po lobojnë që të përfshihet pothuajse çdo gjë. Sipas zërave që qarkullojnë, Gjermania dëshiron që këtu të përfshihet edhe financimi për transmetimin e Deutsche Welle.

Janë edhe dy çështje që mund të mos zgjidhen shpejt: afati kohor për arritjen e qëllimit të shpenzimeve dhe mënyra e saktë se si të arrihet. Viti 2032 është përmendur, por afati mund të shtyhet deri më 2035, me zyrtarët që thonë se është joreale që çdo shtet të rrisë shpenzimet e mbrojtjes para këtij afati, për shkak të rritjes së ulët ekonomike dhe deficitit të konsiderueshëm buxhetor me të cilin po përballen shtetet anëtare.

Po zhvillohet një diskutim serioz për metodën se si të arrihet qëllimi, teksa zyrtarët e NATO-s po kërkojnë një rritje të shpenzimeve të mbrojtjes prej 0.2 për qind çdo vit. Shumica e shteteve, megjithatë, nuk duan një plan të tillë kaq të detajuar dhe preferojnë që të bëjnë shpenzime në kohë të caktuara, kur kanë para. Kjo nënkupton që shpenzimet e tyre për mbrojtje mund të rriten ndjeshëm gjatë një viti, kur për shembull, ata të bëjnë një porosi të madhe për tanke dhe avionë, dhe ata synojnë që në këtë mënyrë t’i afrohen sa më shumë qëllimit prej 3.5 për qind.

Cili është qëndrimi i SHBA-së për shpenzimet?

Ka qenë pikërisht Trumpi ai që ua ka bërë të qartë aleatëve evropianë në NATO se duhet të shpenzojnë më shumë për mbrojtje. Diplomatë evropianë, me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, thanë se Uashingtoni thjesht dëshiron që objektivi prej 3.5 për qind të shkruhet në një dokument në takimin e Hagës, dhe nuk i intereson shumë se çfarë përfshin pjesa tjetër prej 1.5 për qind.

Shtetet e Bashkuara do të donin që nga një rritje e mundshme e shpenzimeve evropiane për mbrojtje të përfitonte industria amerikane e armëve. Megjithatë, me zinxhirin e furnizimeve në Amerikën e Veriut që është i mbingarkuar, do të kishte kuptim që një pjesë e prodhimit amerikan të vendosej në Evropë. Me fjalë të tjera: të blesh produkte amerikane në Evropë. Për shembull, sistemet Patriot do të prodhoheshin në Gjermani ose avionët F-35 në Itali.

Po Ukraina? Do të ketë, të paktën, një sesion të Këshillit NATO-Ukrainë gjatë takimit të ministrave më 5 qershor. Por, një gjë e tillë ka pak gjasa të ndodhë edhe në samitin në Hagë, pasi pjesëmarrja e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, ende nuk është konfirmuar.

Një ditë para takimit ministror, do të mblidhet edhe Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës (i njohur edhe si grupi Ramshtajn), një aleancë prej 57 shtetesh që koordinon ndihmën ushtarake për Kievin. Për herë të parë që nga krijimi i këtij grupi tre vjet më parë, sekretari amerikan i Mbrojtjes nuk do të jetë i pranishëm në takim.

Shefi i Pentagonit, Pete Hegseth, nuk do të arrijë në Bruksel deri pasi të ketë mbaruar takimi i Grupit të Kontaktit për Ukrainën. Me SHBA-në që nuk e udhëheq më këtë grup, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar tani po e bashkëudhëheqin grupin, priten njoftime të reja për ndihmë ushtarake.

Aleatët e NATO-s dhanë 50 miliardë euro ndihmë për Ukrainën në vitin 2024, dhe synimi për këtë vit është të sigurohen edhe 40 miliardë të tjera. Deri tani janë premtuar mbi 20 miliardë euro, por ka frikë se ky objektiv nuk do të arrihet, pasi vendet po i japin përparësi mbrojtjes së tyre dhe SHBA-ja ka sinjalizuar se mund të mos dërgojnë më shumë armë në Kiev, ndërsa kërkon që të negociohet një zgjidhje për t’i dhënë fund luftës./REL/

Të ngjashme

Të fundit