Në javën e fundit dhe me vetëm një pikë më shumë, Napoli është shpallur kampion i ri i Italisë.
Në xhiron e fundit, skuadra e kapitenit të Kosovës, Amir Rrahmani, e mposhti Cagliarin me rezultat 2:0, në “Diego Armando Maradona” për ta fituar titullin e katërt të kampionit në Serie A.
Skuadra nga jugu i Italisë mbylli sezonin me 82 pikë, derisa rivalët nga Milano me 81 sosh.
Napoli po bënte garë të ngushtë me Interin, që në të njëjtën kohë po luante me Comon.
“Nerazzuri” mund të shpalleshin kampion, nëse do të fitonin, por në anën tjetër edhe të gabonte lideri i ligës.
Skuadra e Contes zhbllokoi sfidën në fund të pjesës së parë me një gol të bukur nga Scott McTominay (42’).
Me asistim të Rrahmanit, Napoli nisi furishëm pjesën e dytë me golin e Romelo Lukakut (50’) për ta bërë sfidën e titullit më të lehtë dhe për të nisur festën në stadiumin e Maradonës e cila më pas u bart në qytet.
Ky është titulli i dytë i kampionit me Napolin për kapitenin e “Dardanëve”, Amir Rrahmani i cili në këtë edicion është vlerësuar si mbrojtësi më efektiv në ligë.
Interi realizoi gjithashtu fitore ndaj Comos, me rezultat 2:0, por e pamjaftueshme për ta mbrojtur titullin e kampionit. Ekipi i Simone Inzaghit shpreson të fitojë trofe në garën e vetme të mbetur sivjet, Ligën e Kampionëve, aty ku është në finale me PSG-në ndeshjen që luhet të shtunën e 31 majit.