Reagimi i Hasanit ka provokuar një përgjigje të fortë nga shoku i tij i burgut dhe anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli.
Përmes një postimi në Facebook, Dugolli e ka pyetur Hasanin: “Nait, pse po e merr bajrakun kundër Albinit? Pse?”
Dugolli ka shprehur habi dhe ka thënë se e kupton që disa politikanë të tjerë mund të kenë arsye të tilla, pasi Albin Kurti ka prishur “matematikat politike dhe biznesore” të tyre, duke i bërë ata të mos e duan më në pushtet.
Sipas tij, disa individë mund të mos e duan as të gjallë Kurtin, por që ai, si mik i burgut i Hasanit, nuk mund ta kuptonte arsyen për këtë kundërshtim.
“Unë do të kisha dashur shumë që ti, shoku im i burgut, të kishe këmbëngulur atëherë kur ishte më e rëndësishme, të mos e votoje demarkacionin me Malin e Zi, një vendim që dëmtoi interesat e vendit dhe solli humbje territoriale,” shkroi ai.
Për Dugollin, qëndrimi i Hasanit kundër Kurtit është një “qasje bllokuese”, që ai e cilëson të çuditshme dhe të pashpjegueshme.
Dugolli është i habitur që Hasani po tregon këmbëngulje tani për të refuzuar çdo qeveri ku Albin Kurti është kryeministër.
Deputeti i zgjedhur nga radhët e PDK-së, Nait Hasani, ka reaguar ndaj një deklarate të analistit dhe anëtarit të VV-së, Sadri Ramabaja, i cili kishte pohuar se Hasani do ta mbështesë formimin e Qeverisë Kurti 3.
Hasani hodhi poshtë kategorikisht çdo mundësi që ai t’i japë votën Albin Kurtit.
“Unë me asnjë çmim nuk e votoj qeverinë e Albin Kurtit. Edhe nëse duhet me shku në zgjedhje, shkojmë, por unë nuk ia jap votën Albin Kurtit,” tha ai në rtv Dukagjini.