Në seancën gjyqësore për vrasjen e Liridona Ademajt, i akuzuari Naim Murseli ka pasur pyetje të drejtpërdrejta për ekspertin e Institutit të Psikiatrisë Forenzike, Shpend Haxhibeqiri, lidhur me përmbajtjen e raportit të ekspertizës dhe publikimet në media, raporton Ekonomia Online.
Ai ka kërkuar sqarime nëse në raport është thënë se ai ka vrarë bashkëshorten e tij.
“Ne media kam parë tituj që ekzaminimi thotë që Naim Murseli ishte në gjendje të aftësisë në momentet kur vrau gruan e tij. Pyetja ime është kjo: a e thotë raporti këtë, se a e kam vrarë gruan time”, pyeti Murseli.
Eksperti Haxhibeqiri ka thënë se një gjë e tillë nuk figuron në raportin e ekspertizës dhe se asnjëherë nuk është shpërndarë nga ana e tyre.
“Fillimisht dua ta informoj opinionin publik dhe trupin gjykues se ne nuk e kemi shpërndarë në asnjë moment ekspertizën e përpunuar pasi që aty ka të dhëna shumë sensitive të jetës dhe të zhvillimit psikosocial të Naim Murselit. Në asnjë moment në asnjë rresht të ekspertizës sonë nuk është deklaruar kjo të cilën e cek Murseli”, tha ai.
Murseli ka kërkuar sqarime edhe mbi deklarimet e tij gjatë ekzaminimit, duke e pyetur ekspertin se a ka pranuar diku për veprën për të cilën akuzohet apo e ka mohuar dhe e ka treguar versionin e tij.
“Ju u përgjigjet korrekt në pyetjen time. Gjatë bisedave tona me ju dhe dy ekspertët e tjerë, a kam pranuar diku për veprën për të cilën akuzohem apo e kam mohuar dhe e kam treguar versionin tim”, pyeti ai.
Eksperti ka sqaruar se roli i tyre nuk është të përcaktojnë fajësinë apo jo, duke theksuar se njëjti ka mohuar gjatë deklarimit që ky e ka bërë veprën ose planifikimin.
“Gjatë vlerësimit tonë ne asnjëherë nuk kemi parashtruar pyetjen apo kemi bërë shtytje që i njëjti a ka kryer veprën apo jo pasi që nuk është detyrë e jona. Është detyrë e prokurorisë, është e vërtetë që i njëjti ka mohuar gjatë deklarimit që ky e ka bërë veprën ose planifikimin”, u përgjigj ai.
Më tej, i akuzuari Murseli ka ngritur edhe çështjen e publikimit të dokumenteve në media.
“Si rrjedhi ekspertiza nga instituti juaj ku jeni përgjegjës? Si rrjedhi një dokument kaq sensitiv, nëse jo nga ju mos nga gjykata”, tha ai.
Eksperti është përgjigjur se ekspertiza nuk ka rrjedhur nga ana e tyre, ndërsa Murseli ka theksuar se dikush ka abuzuar me punën duke publikuar dokumentin.
