Nagavci mirëpret masën e përkohshme të Kushtetueses ndaj dekretit të Osmanit

- Advertisement -

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e masës së përkohshme ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e legjislaturës së dhjetë të Kuvendit të Kosovës.

“Mirëpresim vendosjen e masës së përkohshme nga Gjykata Kushtetuese ndaj dekretit të Presidentes. Besojmë se kërkesa jonë është e drejtë dhe se argumentet tona janë të qarta e të bazuara në Kushtetutë. Presim një trajtim profesional nga Gjykata dhe miratimin e kërkesës sonë”, ka shkruar Nagavci në Facebook.

Ajo ka theksuar se presin që Gjykata të nxjerrë aktgjykim për të anuluar dekretin nr. 24/2026 të 6 marsit 2026 dhe të urdhërojë deputetët e Kuvendit të vazhdojnë përpjekjet për zgjedhjen e presidentit të ri brenda afatit kushtetues prej 60 ditësh.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është thelbësor për respektimin e rendit kushtetues, funksionimin demokratik të institucioneve dhe garantimin e stabilitetit institucional në vend”, ka shtuar Nagavci.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur masën e përkohshme deri më 31 mars dhe do të shqyrtojë edhe kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të presidentes Vjosa Osmani.

Të ngjashme

Të fundit