Arbërie Nagavci, deputete e Vetëvendosjes ka ftuar ish-opozitën të votojnë për Qeverinë Konjufca, votim të cilin e quajti “për interesin e qytetarëve”.
“Por nëse nuk duan të votojnë Qeverinë Konjufca, atëherë rruga është e qartë: shkojmë në zgjedhje dhe ua kthejmë fjalën qytetarëve”, tha Nagavci.
Postimi i plotë:
Nesër kemi thirrur dy seanca të rëndësishme të Kuvendit.
Në seancën e parë, në rend dite janë 9 pika; pesë prej tyre janë marrëveshje ndërkombëtare, të cilat, në rast të mosmiratimit, rrezikojnë shtyrjen e vlerës prej 1 miliard euro financim, janë marrëveshje që janë në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim. Pika të rendit të ditës janë edhe Buxheti i Republikës së Kosovës, që garanton vazhdimësinë e shërbimeve publike, investimet, politikat sociale dhe zhvillimin ekonomik; buxheti për RTK-në, që siguron funksionimin e një medie publike të pavarur dhe pagat për 700 punëtorë të këtij mediumi që po presin zgjidhje nga ne; si dhe buxheti për Prishtinën dhe komunat tjera.
Këto nuk janë çështje partiake, janë tema me interes të përgjithshëm, janë përgjegjësi shtetërore. Deputetët kanë marrë votat e qytetarëve për të punuar, jo për të bllokuar, andaj duhet të marrin pjesë dhe të kontribuojnë në miratimin e këtyre ligjeve. Për muaj të tërë, një pjesë e tyre nuk ka bërë asnjë punë, asnjë kontribut real.
Seanca e dytë ka në rend të ditës votimin e Qeverisë Konjufca.
Lëvizja VETËVENDOSJE! ka dëshmuar gatishmëri për konsensus që i shërben stabilitetit dhe interesit të vendit. Ne kemi bërë koncesione për të mundësuar funksionalizimin e institucioneve.
Por nëse nuk duan të votojnë Qeverinë Konjufca, atëherë rruga është e qartë: shkojmë në zgjedhje dhe ua kthejmë fjalën qytetarëve.
Ne do të jemi në sallë. Do të angazhohemi dhe duam të votojmë për interesin e qytetarëve. Ftojmë të gjithë deputetët të bëjnë të njëjtën gjë.






