Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se që nga viti 2021 kanë arritur të finalizojnë katër çerdhe.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se 26 çerdhe janë në proces të ndërtimit.
E gjashtë objekte të tjera janë në proces të adaptimit për t’u shndërruar në institucione parashkollore.
Nagavci në konferencën për media njoftoi se tetë çerdhe janë në proces të tenderimit, nga të cilat dy janë për t’u ndërtuar nga fillimi, e gjashtë objekte janë në proces të shndërrimit nga shkolla në çerdhe.
Gjatë përurimit të çerdhes së parë në qytetin e Prizrenit, në qershor të vitit 2021, kryeministri Albin Kurti deklaroi se në katër vjetët e ardhshëm do të hapen 160 çerdhe të reja.
Mirëpo sivjet kësaj ministrie i tepruan 1.3 milionë euro nga buxheti për çerdhe, e si rrjedhojë këto mjete u bartën për projekte të tjera.
Për mos shfrytëzim të këtij buxhetit Nagavci fajin ua faturoi drejtorive komunale të arsimit.
“Ne ndërtojmë aq sa kemi kërkesa nga DKA-të. Ne na nevojitet që komunat të caktojnë lokacionet, pasi ne aktualisht e kemi edhe analizën e detajuar të cilën e kemi organizuar si ministri së bashku me ekspertët ndërkombëtarë dhe në bazë të asaj analize ne nuk investojmë aty ku ka nevojë. Prishtina për shembull ka tepër shumë nevojë për çerdhe ne nuk mund ta bëjmë këtë pa ardhur kërkesa nga komuna për caktimin e lokacionit dhe lejen prej drejtorisë së Urbanizmit”.
Ministrja njoftoi se buxheti për vitin e ardhshëm për ndërtimin e çerdheve do të kap vlerën prej 13 milionë euro.