Mustafa: Vetëm familja Jashari mund ta nxjerrë Kosovën nga kriza politike

- Advertisement -

Studiuesi i filozofisë politike, Latif Mustafa, ka komentuar zhvillimet politike në vend, duke vlerësuar se situata aktuale mund ta çojë Kosovën drejt zgjedhjeve të reja dhe një cikli të vazhdueshëm bllokadash institucionale.

Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Mustafa tha se politika është arti i së mundshmes dhe se ende mund të provohet një zgjidhje tjetër për tejkalimin e krizës.

“Ne që po shkojmë në zgjedhje e kemi përmendur këtë para dy apo tre javësh. Situata është siç është, por unë mendoj se politika është arti i së mundshmes dhe mund të bëhet diçka”, ka deklaruar Mustafa.

Ai shtoi se nëse Gjykata Kushtetuese lë hapësirë për një zgjidhje të tillë, sipas tij mund të provohet edhe një herë me Murat Jasharin si kandidat.

“Nëse Gjykata Kushtetuese e lejon një gjë të tillë dhe e jep hapësirën, mund të provohet edhe një herë me Murat Jasharin. Pse të mos provohet?”, u shpreh ai.

Mustafa paralajmëroi se në rast se vendi shkon në zgjedhje të reja, shoqëria kosovare mund të përballet me një polarizim të madh politik.

“Në qoftë se shkojmë në zgjedhje të reja, do të shohim një polarizim të paparë deri më sot në shoqërinë kosovare. Do të jetë një betejë e ashpër politike dhe mund të hapen shumë çështje mes opozitës, Kurtit dhe Osmanit”, ka thënë ai.

Sipas tij, një situatë e tillë mund të çojë sërish në bllokada institucionale dhe të dëmtojë imazhin demokratik të Kosovës.

“Nëse shkojmë deri atje, prapë do të përballemi me bllokada dhe një cikël të vazhdueshëm krizash, gjë që mund ta shpërfaqë Kosovën si një demokraci të dështuar. Për momentin, vetëm familja Jashari mund të na shpëtojë nga kjo situatë”, ka deklaruar Mustafa.

Të ngjashme

Të fundit