24.2 C
New York
Saturday, September 13, 2025

Buy now

Mustafa: Vendimi i SHBA-së më i rëndë se sanksionet e BE-së

- Advertisement -

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një intervistë për IndeksOnline ka komentuar vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ndërprerjen e dialogut strategjik me Kosovën, duke e quajtur këtë hap shumë më të rëndë sesa sanksionet e Bashkimit Evropian.

“Mendoj se janë dy aspekte të këtij vendimi. I pari, i rëndë simbolik, se SHBA-ja ndërprejnë bashkëpunimin strategjik me qeverinë e Kosovës dhe i dyti, i lidhur me pasojat afatgjata në fushën e sigurisë, diplomacisë, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ekonomik. Për mendimin tim, ky vendim është larg më i rëndë nga sanksionet ekonomike dhe politike të vendosura nga BE. Duhet të jesh shumë i mençur, e më mirë të them shumë i marrë dhe i papërgjegjshëm për të thënë se çfarë mund të bëjë Kosova pa SHBA-në” ka deklaruar Mustafa për IndeksOnline.

Ai shtoi se është e papërgjegjshme të mendohet se Kosova mund të ecë përpara pa mbështetjen e SHBA-së.

Duke komentuar nëse ky është një paralajmërim serioz apo masë e përkohshme, Mustafa u shpreh: “Po shihet qartë se masat ndaj Kosovës nuk po janë të përkohshme. Flet qartë rasti i atyre të BE-së. Aq më pak mund të jenë këto të Amerikës. Kur ta përmend SHBA-ja emrin për të keq, vështirë të kalosh pa pasoja. Interesat dhe strategjitë për të cilat angazhohet SHBA-ja duhet respektuar.”

Sa i përket ndikimit në raportet mes Kosovës dhe SHBA-së, ai paralajmëroi pasoja të rënda diplomatike.

“Do të ketë mungesë të përkrahjes në institucionet relevante ndërkombëtare, ato diplomatike dhe financiare. Mund të ketë rifillim të procesit të çnjohjeve, të cilat i stopoi SHBA-ja, me marrëveshjen e Washingtonit me kryeministrin Hoti. Në çdo tavolinë të dialogut do të jemi më pak të sigurt se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.”

Ish-kryeministri kritikoi ashpër edhe qasjen e qeverisë aktuale, duke thënë se një vendim i tillë do të shmangej vetëm me koordinim të plotë me partnerët amerikanë.

“Qeveria duhet të bashkëpunojë dhe të bashkërendisë veprimet me SHBA-në. Të mos i bëjë karshillëk vendit që të ka bërë shtet. Të mos i krekosesh me sovranitet atij që është duke ta mbrojtur sovranitetin fhe integritetin territorial me ushtri dhe diplomaci të vet. Natyrisht nëse nuk ke ndonjë mision të shkatërrosh atë që është arritur.”

Të ngjashme

Të fundit