14.7 C
New York
Saturday, October 4, 2025

Buy now

Mustafa: UÇK-ja e ka mbyllur misionin me triumf, eprorët e UÇK-së do të dalin faqebardhë

- Advertisement -

Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remi, ka thënë se koha e lavdisë është vulosur, dhe se UÇK-ja e ka mbyllur misionin e saj me triumf në vitin 1999. Ai ka thënë se askush nuk mund ta përdorë UÇK-në për interesa të ngushta politike, e ku është shprehur i bindur se propaganda e “Blloku Ruso-Serb” do të rrëzohet dhe ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të dalin faqebardhë.

“Koha e lavdisë është vulosur. Koha e sotme kërkon përgjegjësi! UÇK-ja e ka mbyllur misionin e saj me triumf në vitin 1999. Askush nuk ka të drejtë të pretendojë sot, qoftë edhe përmes grupimeve politike apo interesave partiake, se mund të rrëzojë meritat e asaj kohe të lavdisë. Po aq e papranueshme është çdo tentim për ta zëvendësuar atë histori, sepse ajo nuk negociohet dhe nuk ribëhet. Lirinë që gëzojmë sot ia detyrojmë organizimit tonë politik e ushtarak, ndërsa mbështetja ndërkombëtare u bë e mundur falë këtij organizimi vendor”, ka shkruar Mustafa.

Ai shton se Kosova nuk përballet sot me okupatorin por me krimin ekomonik, korrupsionin, nepotizimin dhe rrjetet maifoze që kalojnë kufijtë kombëtarë.

“Sot nuk përballemi më me okupatorin, por me sfida të brendshme: krimin ekonomik, korrupsionin, nepotizmin dhe rrjetet mafioze që kalojnë kufijtë kombëtar. Kjo është beteja jonë e re. ‘Blloku Ruso-Serb’ fabrikoi të pavërteta që kulmuan me Gjykatën Speciale. Nuk duhet lejuar që këto gënjeshtra të mbështeten nga segmente politike, as hapur e as fshehur. Jam i bindur se propaganda do të rrëzohet dhe eprorët e UÇK-së do të dalin faqebardhë. Gjykimet duhet të përfundojnë me kohë, drejtësia duhet të vendoset qartë dhe pa zvarritje. Historia e luftës është e mbyllur: aty nuk ka krime lufte që mund të njollosin lavdinë e kombit. Askush nuk duhet ta përdorë UÇK-në për interesa të ngushta politike”, ka shkruar mes tjerash ish-komandant Remi.

Por Mustafa “përmend” kush janë sipas tij kriminelët sot që po e pengojnë zhvillimin e Kosovës.

“Qytetarët e Kosovës nuk jetojnë me fjalë për vitet e shkuara. Ata kërkojnë cilësi jete sot: drejtësi funksionale, institucione të forta dhe zhvillim ekonomik. Prandaj, drejtësia duhet të zgjerojë fushën e saj ndaj atyre që kanë keqpërdorur pasurinë publike, që kanë shkatërruar ndërmarrjet, që kanë defunksionalizuar gjykatat e universitetet. Këta janë kriminelët që sot e pengojnë zhvillimin e Kosovës. Prioritetet e kohës sonë janë të qarta:  • Sundimi i ligjit, • Lufta pa kompromis kundër korrupsionit, • Përfundimi në kohë i gjykimeve, • Zhvillimi ekonomik dhe ndërtimi i shtetit të suksesshëm. Ecja drejt shtetit modern është e pashmangshme. Koha e lavdisë nuk ka pse të ketë ankth nga koha e sotme ajo është e vulosur në histori. Përgjegjësia jonë është të mos fshihemi pas së shkuarës, por të ndërtojmë të ardhmen me punën e sotme”, ka përfunduar shkrimin ai.

Të ngjashme

Të fundit