Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, thotë se marrëveshja që ka arritur kryeministri Albin Kurti në vitin 2023 dhe Statuti i Asociacionit i ofruar nga ndërmjetësuesit e bën Kosovën jofunksionale. Ai sugjeron që të procedohet me themelimin e Asociacionit të vitit 2013 duke implementuar atë sipas vendimit të Kushtetueses së vitit 2015. Sipas tij, zvarritja e arritjes së një marrëveshje finale me Serbinë mund të ketë dëme të mëdha për Kosovën. Sa i përket aleancave, ish-kreu i LDK-së sugjeron që Kosova të mbahet edhe me SHBA-në dhe BE-në. Kërcënimet më të mëdha që mund t’i kanosen Kosovës, Mustafa thotë se janë një organizim i mundshëm i serbëve në gjithë Kosovën, sikurse ndodhi në Banjska, dhe tërheqja e trupave amerikane.

Heqja e barrës së problemit me Serbinë përmes një marrëveshje finale me njohje reciproke është çelësi i vetëm që i hap rrugë Kosovës për të synuar marrjen e njohjeve nga pesë shtetet e BE-së, forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar dhe avancimit drejt integrimit në strukturat euro-atlantike. Zhvillimet aktuale gjeopolitike dhe ndryshimi për 180 gradë i politikës amerikane, tregojnë qartazi që maratona e gjatë e negocimit me Serbinë dhe mungesa e një marrëveshje përfundimtare me Beogradin zyrtar është dëm vetëm për Kosovën.

Ish-kryeministri i Kosovës, akademiku Isa Mustafa, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express, duke folur për përmbylljen e negociatave me Serbinë, thotë se njohja reciproke duhet të jetë në qendër të marrëveshjes finale. Mustafa thotë se ajo duhet të rikthehet si kusht në tryezën e negociatave, meqë në marrëveshjen Kurti-Vuçiq të vitit 2023 është zhvendosur nga negociatat pa afat.

Duke folur për dëmet që po i bëhen Kosovës nga mungesa dhe prolongimi i një marrëveshjeje me Serbinë, Mustafa përmend edhe një Rezolutë të OKB-së të viti 2010, që sipas tij ia imponon Kosovës të mosveprojë drejt gjetjes së një zgjidhjeje me fqinjin verior.

Dëmi i parë që vjen nga kjo, sipas ish-kreut të LDK-së, është shndërrimi i qeverive në joefikase, meqë në vend se të merren me problemet e qytetarëve, fokusi dhe angazhimi i tyre duhet të jetë në negociata.

Ndërsa dëmi i dytë thotë se është dobësimi i pozicionit të Kosovës, ndërkohë që Serbia po e konsolidon raportin me SHBA-në dhe vendet evropiane. Mustafa shton se Serbia po thith investime, ndërkohë Kosova po sanksionohet ekonomikisht e politikisht.

Ish-kryeministri kosovar thotë se kjo tregon edhe atë se pse Serbia është e mos interesuar për gjetjen e një zgjidhjeje finale me Kosovën. Ai thotë se Serbia dëshiron që Kosova heshturazi të kthehet në një vend me status të papërfunduar, gjë që sipas Mustafa përbën rrezik kolosal për Kosovën.

“Kjo është edhe arsyeja pse Serbia nuk po tregon interesim të përmbyllet dialogu. Me këtë, pa u vërejtur statusi i pavarur i shtetit të Kosovës po tentohet që heshtazi të konvertohet në një status të përkohshëm të papërfunduar, që është rrezik kolosal për vendin tonë”, ka thënë Mustafa për Gazeten Express.

Ai sugjeron që Kosova të implementojë Marrëveshjen e vitit 2013 të ratifikuar në Kuvend dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 dhe jo marrëveshjen që kryeministri Albin Kurti ka arritur në vitin 2023 meqë thotë se kjo e fundit cenon shtetin e Kosovës.

“Kompromiset me autonomi politike dhe territoriale të serbeve, sipas marrëveshjes së vitit 2023, me pranimin e Statutit të ofruar nga ndërmjetësuesit duhet të jenë të papranueshme sepse e bëjnë shtetin jofunksional”, ka potencuar ish-kreu i LDK-së për Express.

Përveç sfidës për mbylljen e problemit me Serbinë, Kosova e gjen veten edhe mes vështirësive për pozicionim gjeopolitik mes aleatëve të saj, SHBA-së dhe BE-së, të cilët dita e ditës vetëm sa po largohen nga njëri-tjetri.

Akademiku Mustafa thotë se Kosova s’duhet të zgjedh njërën nga të dyja, por të jetë edhe me Washingtonin edhe me Brukselin.

“Me SHBA-në si partnerin kryesor strategjik dhe me BE-në si hapësirë evropiane të cilës i takon dhe bashkësi në të cilën aspiron të anëtarësohet”, shprehet ish-kryeministri kosovar.

Njeriu që ka drejtuar institucionet e Kosovës, thotë se gjatë kohës kur Trump ka qenë në pushtet herën e parë, ka pasur hile nga disa vende evropiane, që i kanë sugjeruar Kosovës që s’kanë nevojë të lidhen shumë me SHBA-në, meqë i takojnë Evropës.

“Që nga koha e qeverisë Trumpi I janë vërejtur hile nga disa vende evropiane duke sugjeruar që ne s’kemi nevojë të lidhemi shumë për SHBA-të, sepse i takojmë Evropës”, ka potencuar ai.

Mustafa thotë se ky sugjerim i kishte ardhur Kosovës derisa vetë evropianët i maltretonin kosovarët me regjim të vizave dhe ndërkohë që ata vetë shqetësoheshin nga deklaratat që vinin nga zyrtarë amerikanë për tërheqje të mundshme të trupave amerikane nga Evropa.

“Prandaj duhet të rikthejmë besimin në marrëdhënie të mira me Shtetet e Bashkuara sikurse edhe me institucionet dhe vendet e Bashkimit Evropian. Të mos vazhdojmë me ligjërata boshe e të çuditshme në politikën e jashtme”, shprehet ish-kryeministri Mustafa.

Përveç faktorëve të jashtëm që determinojnë zhvillimin e Kosovës si shtet, ndërveprimi politik dhe qeverisja e brendshme ka rol jashtëzakonisht të rëndësishëm.

Duke folur për këtë çështje, Mustafa thotë se rruga që po trasohet nga politika kosovare ngjan më shumë me një rrugë pa dalje sesa nga një trase që e çon Kosovën përpara.

Mustafa thekson mungesën e demokracisë së mirëfilltë, mosrespektimin e punës dhe vlerave, ndërkohë që shton se zgjedhjet fitohen me politika popullsitë e aleatët që çliruan shtetin shpërfillen.

“Është larg nga demokracia e mirëfilltë, nga interesat aktuale të shtet ndërtimit dhe nga qasjet e peshuara racionale profesionale e shkencore. Nuk respektohet puna dhe vlerat. Zgjedhjet fitohen me politika popullsitë, ndërsa ngec ekonomia, arsimi, shëndetësia, dhe shpërfillen marrëdhëniet me aleatët që i ndihmuan lirisë, formimit të shtetit, ngritjes ekonomike dhe institucionale”, shton ai.

Ish-kryeministri dhe ish-kreu i LDK-së thotë se në Kosovë mungon bashkëpunimi mes partive, ndërkohë që interesat politike vendosen mbi interesat e shtetit.

“Betejat politike i karakterizon mungesa e qëllimeve të përbashkëta dhe besimit, prandaj partitë politike e kanë vështirë të bashkëpunojnë ndërmjet tyre”, shprehet Mustafa.

Ndërkohë që Kosova po has në vështirësi për t’u konsoliduar dhe për t’iu dhënë epilog problematikave që i ka barrë mbi shpinë, paralajmërimet për rreziqet e sigurisë që mund të cenojnë shtetin nuk mungojnë. Historiani Oliver Schmit në një intervistë të para pak kohe, ka thënë se Kosova është një nga shtetet më të rrezikuara.

Akademiku Isa Mustafa thotë se për sa kohë NATO është në Kosovë përmes ushtarëve të KFOR-it e veçanërisht me ushtarët amerikanë, s’ka rrezik nga Serbia. Ai bën përgjegjës presidenten Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti për kultivimin e shpërthimit të luftës me Serbinë.

“Jo se ai realisht ka ekzistuar por për të mbuluar dështimet në qeverisjen e vendit dhe për të arsyetuar ndërhyrjen në veri të vendit me forca policore në emër të sovranitetit”, shprehet Mustafa.

Duke folur për serbët e Kosovës, Mustafa thotë se nëse ata s’do të integrohen në institucione te Kosovës, duhet të llogaritet rreziku permanent nga organizimi i tyre në Veri të vendit, njëjtë sikur ka ndodhur në Banjska, me përkrahje dhe shtytje të Serbisë.

“Mirëpo, nëse nuk arrijmë që serbët ti integrojmë në institucione, duhet të llogaritet në rrezikun permanent nga organizimi i tyre në veri të vendit dhe jo vetëm në veri, ashtu siç ndodhi në Banjska, me përkrahje dhe shtytje të Serbisë. Serbet duhet ti pranojnë institucionet e Kosovës si të tyre dhe jo vetëm të jenë formalisht në Parlament, në Qeveri dhe në krye të një numri të madh të komunave e realisht të diktohen nga qeveria serbe”, ka thënë Isa Mustafa për Gazetën Express.

Rrezik tjetër me peshë të rëndë që mund t’i kanoset në të ardhmen Kosovës, sipas Mustafës, është edhe tërheqja e trupave amerikane nga Kosova. Ai thotë se për këtë ka pasur paralajmërime që nga viti 2020, nëse Kosova s’tregon interes për paqe e stabilitet.

Ish-kreu i LDK-së thotë se kjo edhe ka qenë arsyeja pse partia që drejtonte dikur e kishte braktisur koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje e drejtuar nga Albin Kurti.

“Mesazhet që në atë kohë vinin nga Uashingtoni, e që kishin të bënin me heqjen e tarifave ndaj produkteve serbe dhe zhbllokimin e dialogut, flisnin qartë se nëse Kosova nuk është e interesuar për paqe dhe stabilitet atëherë pse këtë ta bëjnë taksapaguesit amerikan me ushtarë në Kosovë. Kjo ishte edhe arsyeja pse LDK e prishi koalicionin me VV-në për çfarë pastaj u ndëshkua me votë nga qytetarët”, ka thënë Isa Mustafa.

Mustafa në fund të kësaj interviste, thotë se pavarësisht ndëshkimit që mori, LDK nuk u lëkund nga bindja se ky ndëshkim qytetar ka qenë i gabuar, meqë siguria dhe shtetësia e Kosovës janë fragjile pa përkrahjen dhe prezencën e SHBA-së.

“Ata që rrezikojnë marrëdhëniet me SHBA-në dhe ata që për efekte “ndryshimi” u thurin lavde atyre që e ndëshkuan LDK-në me votë në vitin 2021 dhe e sollën një qeveri që e keq qeverisi Kosovën konsideroj se nuk janë në linjë me interesat jetike të Kosovës”, përfundon ish-kryeministri kosovar, Isa Mustafa.