Profesori i Shkencave Politike, Artan Mustafa, ka deklaruar se që nga viti 2015 shumica parlamentare në Kuvendin e Kosovës nuk ka qenë e aftë ti japë një zgjidhje çështjes së Asociacionit.
I ftuar në emisionin “ReSpublika”, Mustafa tha se kjo moszgjidhje e kësaj çështje ka të bëjë edhe me vet faktin se sipas tij, as shumica parlamentare nuk e kanë bindjen e plotë që është zgjidhja më e duhur.
Kurse sa i përket deklaratës së kryeparlamentarit Glauk Konjufca i cili kishte theksuar se nëse do të ketë trysni nga ndërkombëtarët për formimin e Asociacionit me kompetenca ekzekutive, vendi do të shkojë në zgjedhje, Mustafa tha se këto deklarata i ka parë në kuadër të lojës diplomatike që është duke u bërë.
“Deklarata të tilla i kam pa më shumë si sinjale brenda asaj lojës diplomatike që është duke u bërë që ndoshta njëfarë kërkese nga perëndimi që kërkesa ndaj Kosovës të mos jenë aq të larta, psh të mos i afrohen atij propozimi që dha pala serbe për statutin e Asociacionit etj. Mirëpo është e qartë që shumica në parlament prej 2013 dmth prej 2015 e tutje nuk ka qenë e aftë me i dhanë fund kësaj zgjidhje edhe për shkak të faktit që ndoshta nuk ka bindje të plotë që është zgjidhja më e duhur”, tha ai.
Tutje ai tha se shkuarja në zgjedhje të reja nuk është shansë për krijimin e një Qeverie më stabile, pasi që sipas tij, secila Qeveri shpenzohet pas qeverisjes.
“Këtu fatkeqësisht kontributi lokal qysh thamë më herët nuk ka qenë shumë, nuk i kemi ndëgju dëshirat e sinqerta ndoshta të palëve, me i adresu ato me këtë agjendën e Perëndimit e me i krahasu. Nuk e di çka do të bëjë mbajtja e zgjedhjeve të reja, çdo Qeveri shpenzohet prej qeverisjes dmth kritika e publikut ndaj qeverive është gjitmonë e lartë, sepse kërkesat janë gjithmonë në rritje. Pastaj ato mund të vien edhe në krahasim me premtimet që janë bërë më herët etj, është githmonë më vështirë për qeveritë të cilat janë në pushtet me mbledhë vota herën tjetër”, tha ai.