Krejt këto përmbledhtazi i tha ish-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një përgjigje me shkrim për Nacionalen, në dritën e zhvillimeve të fundit në vend – prej vizitës së Shefit të CIA-së, William Burns në Kosovë (pas Bosnje-Hercegovinës dhe Serbisë) e deri te trumbetimi-e-heshtja për hapjen e Urës së Ibrit nga qeveria kosovare pavarësisht rezervime të rrepta të hisedarëve të sigurisë në vend: misionit paqembajtës të NATO-s.
Që një zyrtar aq i lartë i sigurisë kombëtare amerikane, njëherit edhe anëtar i kabinetit presidencial të Joe Biden, si William Burns, të vijë në tri kryqendrat “problematike” të rajonit, në leximin e Mustafës do të thotë se ka pasur “një zor”.
“Për Kosovën është shumë domethënëse çdo vizitë dhe nyje e kontaktit dhe e bashkëpunimit me SHBA-të. Edhe vizita e shefit të CIA-s, William Burrns është për tu vlerësuar dhe respektuar por jo edhe për tu krenuar me te. Në kohën e disa vatrave të luftës dhe krizave globale që kërkojnë vëmendjen 24 orësh të SHBA-së, z. Burrns do ta kishte një zor të vijë këtu për të kontaktuar vendet dhe udhëheqësit problematik në Bosnje e Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë”, na tha Isa Mustafa.
“Vizita është historike në kontekstin negativ duke qenë se për herë të parë në historinë e pasluftës lidershipi i Kosovës rreshtohet në një paralele ( futet në një thes) me Dodik të Republika Serpska dhe Vuçiq të Serbisë. Mesazhi është tejet i qartë se ku ia kanë caktuar Kosovës vendin, ndërkaq për tre akterët, mendoj se mesazhet kanë qenë të qarta se çfarë nuk guxojnë të bëjnë”, vazhdoi ai.
Pyetur se si e sheh heshtjen pasuese për Urën e Ibrit, që deri para vizitës së Burns ishte dhënë për “vendim të marrë, çështje të mbyllur” pavarësisht çdo shqetësimi të kumtuar nga QUINT-i dhe NATO-ja, Mustafa e sheh se qysh në rend të parë qeveria kosovare ka qenë dashur “të ketë vesh për këto thirrje që bëheshin nga niveli politik”.
“Loja me Urën e Ibrit ishte fushatë e ulët dhe e papërgjegjshme. Një popullizëm kuazifolklorik e i shfrenuar me sulme dhe kritika ndaj vendeve të QUINT-it dhe sidomos SHBA-së; pra ndaj vendeve të cilat e vlerësonin të drejtën e Kosovës për të hapur qarkullimin e automjrteve mbi këtë urë por me veprime të badhkërenditura në kohë dhe në aspektin e sigurisë”, tha ish-kryeministri Mustafa.
“Qeveria është dashur të ketë vesh për këto thirrje që bëhej nga niveli politik. Në vend të kësaj në vesh u foli CIA. Po duket se kjo dha efekte që trimat e urës të vetëdijësohen dhe paqësohen. Edhe kjo është në interes të Kosovës. Fundja ishte e neveritshme të shohësh në rolin e ‘rojeve të urës’ anëtarët e qeverisë dhe deputetët e pozitës”, përfundoi Isa Mustafa për Nacionalen.