Pavarësisht thirrjeve dhe përpjekjeve të shteteve të Quintit që zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Serbisë të mbaheshin në Kosovë, z. kryeministër Kurti dhe Qeveria e tij vendosën të refuzonin një gjë të tillë, për çka pasoi reagim i ashpër nga Amerika e katër vendet tjera të Evropës.
Ish-kreu i LDK-së, Isa Mustafa në një intervistë për Periskopin ka deklaruar qartë se komunikata me qasje të ashpër nga Quinti është ndër reagimet më të rënda dhe me rrezik afatgjatë për partneritetin e vendit tonë me Bashkimin Evropian dhe Amerikën.
“Përfundimi i deklaratës së QUINT-it se kjo sjellje e Qeverisë minon aspiratat evropiane, flet për seriozitetin e këtij reagimi. Është ndër reagimet më të rënda dhe potencialisht me rrezik afatgjatë për partneritetin e vendit tonë me BE dhe SHBA”, deklaroi Mustafa.
Tutje Mustafa tha se Quinti ka qenë në dijeni për qëndrimet e Vetëvendosjes ‘, konkretisht të Albin Kurtit e Vjosa Osmanit.
“Ç’është e vërteta, Quinti i ka ditur edhe më parë qëndrimet e Vetëvendosjes ( të kryeministrit të tanishëm dhe të presidentes) dhe asgjë s’ka ndodhur jashtë asaj çfarë publikisht kanë deklaruar gjatë fushatës, e për çfarë kanë gjetur përkrahje të pa-rezervë të këtyre vendeve veç e veç që sot shprehen të pakënaqura”, ka thënë ish-kreu i LDK’së.
Sipas ish-kryeministrit Mustafa, nëse dikush duhet qortuar Quinti duhet qortuar vetveten ‘’sepse disa përfaqësues të tyre diplomatik në Kosovë silleshin thuaja se ishin pjesë e Vetëvendosjes’’.
“Prandaj nëse duhet qortuar dikush, Quinti duhet qortuar vetveten, sepse disa përfaqësues të tyre diplomatik në Kosovë silleshin thuaja se ishin pjesë e Vetëvendosjes. Qeveria nuk i ka mashtruar por ata janë vet mashtruar me qëllim apo pa të. Pasojat, druaj se do të jenë të mëdha dhe afatgjata, do t’i bartë Kosova. Vendi ynë ka nevojë të stabilizohet, të ushtrojë sovranitetin në tërë territorin por nëse një pjesë e qytetarëve kërkon zgjidhje në Serbi dhe jo në shtetin e tyre, atëherë kjo flet se institucionet tona janë larg që ta bëjnë punën e tyre”, tha Mustafa