Profesori universitar Bashkim Mustafa ka thënë në EURO n’T7 se besueshmëria e sektorit privat në institucionet e vendit ka rënë, për shkak se të drejtat e tyre për një jetë dinjitoze po shkelen çdo ditë.
Sipas tij, partia që ka udhëhequr për katër vite ka ardhur në pushtet me kauza të ndërtuara për mbrojtjen e sektorit privat, për një dialog me sindikata, dhe ka përfunduar mandatin duke qenë në një luftë të hapur edhe me sektorin privat, por edhe me sindikata.
Shkalla e lartë e popullsisë aktive të gatshme për punë, por që janë jashtë tregut të punës, tregon se këta njerëz nuk kanë asnjë besim tek institucionet, as për të kërkuar një vend pune, edhe pse shumica janë të diplomuar dhe të gatshëm për punë.
Sipas një raporti të fundit të Institutit GAP, janë 613,029 qytetarë jo aktivë por të gatshëm për punë.
“E kemi mbi 613 mijë persona të cilët janë të aftë për tregun e punës, por fatkeqësisht nuk janë të lajmëruar askund, as nuk punojnë. Në këtë shkallë janë mbi 400 mijë gra të afta dhe të gatshme për punë, por që vazhdojnë të mbesin të papuna. Një përqindje e madhe e këtyre grave kanë ose bachelor, ose studime master të përfunduara, por që dora e shtetit për angazhimin e tyre nuk shihet askund. Kjo përqindje e fuqisë punëtore joaktive është më e larta në Evropë. Në BE këto norma sillen nga 9 deri në 12%, derisa tek ne nga 40 deri në 66% tek gratë, të cilat nuk kanë as guxim e as vullnet për të gjetur mbështetje për të konkurruar për një vend pune,” ka pohuar Mustafa.
Këto shifra, sipas tij, tregojnë qartë se synimi më i madh i fuqisë sonë punëtore është emigrimi në Evropë për një pagë e jetë më dinjitoze.
“Fatkeqësisht, ne do të mbesim edhe pa fuqinë punëtore, edhe pa fuqinë konsumuese, që është njëri ndër faktorët kryesorë të rritjes ekonomike. Pra, afërsisht mbi 50% e fuqisë punëtore në vend është joaktive, dhe kjo tregon dështimin e tërësishëm të aparatit shtetëror, se këta njerëz ose janë duke punuar në të zezën, apo edhe ndoshta jetojnë nga remitencat e bashkëatdhetarëve,” ka thënë Mustafa.
Raste të shumta ka në vend ku një pjesë e punëtorëve nuk lajmërohen fare në organet kompetente, dhe kjo rrit informalitetin.