Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka thënë se ka entuziazëm dhe mobilizimi të madh të strukturave të LDK-së, prandaj sipas tij vendi po i afrohet një ndryshimi historik, raporton Ekonomia Online.
“Dje e pamë flakadanin e zjarrtë të LDK-së në Istog që i dha edhe një herë vulë të plotfuqishme fitores sonë të 9 shkurtit. Dje e pamë dhe kryengritjen e grave të djathta, të gatshme të udhëheqin vendin.
Tanimë gjithçka shihet qartazi, fitorja jonë në çdo tubim po shihet, në çdo fytyrë po vërehet, ka mbetur vetëm edhe fletëvotimet në kuti”, tha Mustafa në konferencën për media.
Ai tha se qytetarët e Kosovës janë gati për një qeverisje të re që sjell rezultate konkrete.
“Kosova është e gatshme për ndryshim. Ne kemi mundësinë të ndryshojmë Kosovën, ta bëjmë jetën tuaj shumë më të mirë, ta vendosim Kosovën në vendin që meriton e jo në vendin e fundit në Evropë. Jemi lodhur nga premtimet boshe. Të gjithë jemi gati për veprime të prekshme”, theksoi Mustafa para mediave.