Rrustem Mustafa, ish-deputet i PDK-së, ka publikuar një shkrim relativisht të gjatë, në të cilin ka komentuar situatën e tensionuar në veri të Kosovës. Në fakt, ish-komandanti i UÇK-së i Zonës Operative të Llapit, ka bërë publike mbështetjen e tij për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Në shkrimin e ti, Mustafa shkroi se duhet të mbështetet Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Kurti.
“Kryeministrit të Qeverisë të Republikës së Kosovës i duhet mbështetja jonë, dhe duhet mbështetur!
E kaluara jonë është dëshmitare që ne gjithnjë jemi bashkuar në kohë të vështira dhe si të tillë kemi dalë fitimtarë. Kryeministri Kurti duhet të mbështetet maksimalisht në këto kohë krizash, gjithandej. Jemi një popull i vogël, por gjithnjë zemër mëdhenj në përballje me rreziqet. Gjithmonë kemi synuar paqen, por nuk ju kemi frikësuar as luftërave.” – shkroi ai.
Në shkrimin e tij, z. Mustafa, që dikur ishte edhe këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi, ka pasur kritika edhe ndaj opozitës.
“Duket qartë se opozita nuk ështē e koordinuar dhe si duket nuk ka ndonjë rrugëdalje për të tejkaluar situatën e krijuar. Një gjë jam i sigurtë, se pavërsisht se çfarë opinioni prodhojnë mediat, analistët apo edhe opozita, Kryeministri Kurti është në rrugë të drejtë në synimin e tij për të shtrirë pushtetin në tërë territorin e Kosovës. Në veriun e vendit tonë, deri tani kishte gjithçka, por mungonte substancialisht rendi dhe ligji.” – vazhdon Mustafa.
Ndryshe, ditë më parë “Remi”, konfirmoi se është ftuar nga Gjykata Speciale si dëshmitar.