Arben Mustafa nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) thotë se çështja e tatimit në pronë ka dëmtuar jashtëzakonisht qytetarët, duke u shtuar edhe një ngarkesë tjetër atyre.
Sipas Mustafës, ky veprim i Qeverisë ka qenë “i pamatur”.
“Kjo çështja e tatimit në pronë ka qenë dhe mbetet ndër veprimet më të pamatura dhe më të çuditshme të kësaj Qeverie, kur në kushtet e rritjes ekstreme të çmimeve ndërmori edhe një masë, edhe një ngarkesë tjetër për qytetarët duke dyfishuar takimin në pronë. Ajo çka ka bërë Qeveria përmes kësaj pjese të Ligjit në tatimin në pronë ka përfshirë një element ku i mundëson Komunave që nëse ato dëshirojnë t’u falin qytetarëve nga 100 euro. Pra nuk është që Qeveria e Kosovës ka marrë një vendim për t’u falë nga 100 euro qytetarëve të Kosovës, por u ka mundësuar Komunave që nëse ato dëshirojnë të mund t’i falin ato 100 euro…mirëpo pavarësisht se a do t’i falin ato 100 euro apo jo, qytetari i Kosovës është dëmtuar jashtëzakonisht shumë me atë veprim të pamatur për të dyfishuar tatimin në pronat në atë kohë krize”, deklaroi ai në “Ditari” në Tëvë 1.
Përmes një njoftimi, Gjykata Kushtetuese ka bërë të ditur sot se Komunat duhet të vendosin vetë për faljen e tatimit në pronë dhe se Ligji i kontestuar nga komunat nuk është në kundërshtim me ligjin e pushtetit lokal.