32.6 C
New York
Monday, June 30, 2025

Buy now

Mustafa: Bllokuesit s’kanë investuar në pavarësinë e Kosovës, tash po bllokojnë pa ndjenjë e përgjegjësi

- Advertisement -

Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi se deputetët janë të obliguar që jo më vonë se 30 ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit, duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët.

Megjithatë, edhe pas këtij aktgjykimi, deputetët dështuan për të 37-tën herë të ia qesin pikën kësaj pune.

Lidhur me këtë ka folur ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, duke e vlerësuar krizën në Kuvend si bllokadë nga papërgjegjësitë.

Mustafa ka deklaruar se aktgjykimi i Kushtetueses është i qartë, megjithatë ai thotë se po interpretohet nga keqdashës.

“Nuk më takon mua të përcaktoj përgjegjësinë se kush po e bllokon Kosovën në konstutuimin e institucioneve. Sepse për ata që kanë mend po shihet qartë. Pavarësia nuk është investim, ose është më së paku investim, i bllokuesve të tanishëm, prandaj edhe bllokojnë pa asnjë ndjenjë dhe përgjegjësi”.

Ai fajëson Vetëvendosjen për mosinteresim të konstituimit të Kuvendit.

Por edhe nëse ndodh kjo, Mustafa ka thënë se asnjëra palë nuk i kanë votat për të qeverisur.

“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë, por në çdo tekst gjendet hapësirë për interpretim subjektiv keqdashës, siç po bëhet tani nga lloj-lloj diletanti. Dihet qartë se partia që doli e para nuk është e interesuar ta konstituojë Kuvendin. Por edhe sikur të konstituohet as pozita e deridjeshme dhe as opozita nuk kanë vota për të qeverisur”, ka thënë ai për Periskopin.

E për këtë ai sugjeron që partitë të gjejnë zgjidhje për zgjedhje të reja.

“Partitë do duhej të gjejnë një zgjidhje për të shkuar në zgjedhje të reja, gjithsesi jo së bashku me ato lokale. Modalitete ka nga vendet e tjera, përmes një qeverie kalimtare me afat të caktuar”, ka thënë ai për Periskopin.

Mustafa ka thënë se kur ishte pjesë e politikbërjes s’janë pajtuar me njëri tjetrin, por kanë gjetur rrugë për zgjidhje.

“As ne në të kaluarën nuk jemi pajtuar me njëri-tjetrin. Por kemi fol, kemi komunikuar, jemi ulë në zyra, në restorante, në shtëpi dhe kemi biseduar pa ngarkesa. Nuk kemi biseduar për tu dorëzuar, ashtu siç po predikojnë disa sot, por për të gjetur zgjidhje”, ka thënë Mustafa për Periskopin.

Çka thuhet në aktgjykim e Gjykatës Kushtetuese?

Në aktgjykim, Kushtetuesja tha se mandati i deputetit dhe ai i Kuvendit është i ndërlidhur dhe përfaqësimi i popullit nga deputetët nuk mund të jetësohet pa konstituimin e Kuvendit.

Për konstituimin e Kuvendit, në aktgjykim u tha se të gjithë deputetët duhet të votojnë.

“Zgjedhja e kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit është parakusht që Kuvendi të fillojë të funksionojë dhe kjo kërkon nga të gjithë deputetët të jenë të pranishëm dhe të votojnë për konstituimin e Kuvendit, në mënyrë që ky i fundit të fillojë sa më shpejtë të funksionojë si organ ligjvënës, vendimmarrës”, u tha në vendim.

Gjykata kujtoi se partia fituese, në këtë rast, Lëvizja Vetëvendosje, e ka të drejtën e propozimit të kandidatit për kryeparlamentar. Megjithatë, Kushtetuesja tha se kjo e drejtë njëkohësisht është detyrim për grupin më të madh parlamentar për “bashkëpunim në mirëbesim dhe konsultim konstruktiv me grupet e tjera parlamentare për të gjetur konsensusin apo kompromisin e nevojshëm”.

“Kjo e drejtë në asnjë mënyrë nuk mund të rezultojë në bllokimin e konstituimit të Kuvendit”, u tha në aktgjykim, ku u shtua se ky detyrim “vlen edhe për grupet tjera parlamentare të cilat në frymën e bashkëpunimit dhe konsultimeve konstruktive propozojnë kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit”.

Gjykata Kushtetuese tha se është detyrë dhe e drejtë e të gjithë deputetëve të Kuvendit që të gjejnë mënyrën për të zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët të Kuvendit.

Ndryshe kjo krizë vjen pasi asnjë parti nuk e fitoi shumicën për të qeverisur e vetme dhe ka mungesë marrëveshjeje politike mes tyre për të krijuar një shumicë të përbashkët.

Lëvizja Vetëvendosje doli e para duke i fituar 48 ulëse, 13 më pak se të paktën 61 të nevojshme ta formuar qeverinë e re e vetme. PDK-ja zuri vendin e dytë me 24 ulëse, LDK e treta me 20, AAK-Nisma 8 dhe Lista Serbe 9.

Të ngjashme

Të fundit