Sipas Musmuratit, vitin e kaluar Qeveria Kurti e privoi arsimin nga projekti i digjitalizimit, duke i shfrytëzuar fondet e dedikuara për këtë proces për të mbuluar subvencionimin e librave.
“Vitin e kaluar, për të mbuluar koston shtesë të rreth 8 milionë eurove për subvencionim, Qeveria i mori fondet nga projekti për digjitalizim të arsimit. Pra, për me ble libra ma shtrejtë, Ministria e Arsimit e sakrifikoi digjitalizimin. Çfarë projekti do të ndalin sivjet për me ble libra që ju kushtojnë më shtrenjtë?”, theksoi ajo.
Musmurati theksoi se ka pasur nxënës që për dy gjysëmvjetorë shkollorë u kanë munguar disa nga librat.
“Për më tepër, në një moment edhe u tha se rimbursimet e fundit të prindërve për vitin e kaluar janë bërë në maj të këtij viti. Pra, mund të konkludojmë që ka pasur nxënës që, që nga shtatori deri në maj, pra një muaj para se të përfundojë mësimi nuk ka pasur fare libra” , shtoi ajo.
Musmurati tha se vitin e ardhshëm, në qeverisjen e PDK-së, furnizimi me libra nuk do të jetë më temë e 1 Shtatorit, sepse digjitalizimin i proceseve në arsim do të vendoset në shërbim të nxënësve.
“Në mënyrë që te sigurohemi qe ky keqmenaxhim i parasë publike nuk përsëritet më dhe mungesa e orëve mësimore ndalet, komisioni hetimor parlamentar duhet të kryej punën e vet pa ndërhyrje politike të partisë në pushtet sa me shpejtë dhe organet e drejtësisë te përfundojnë hetimet njëherë e mirë. Lajmi i vetëm i mirë në krejt këtë mes, e që na jep shprese për të ardhmen, është që veçse jemi në prag të zgjedhjeve të reja. Arbërie Nagavci nuk duhet të jetë më Ministre e Arsimit nga viti tjetër. Qytetaret tanë do të mund të përjetojnë dallimin e mendësisë në qeverisje me ardhjen e Bedri Hamzës dhe ekipit të tij në krye të shtetit”, përfundoi ajo.