Analisti nga Maqedonia e Veriut, Albert Musliu ka thënë se vizita e fundit e kryeministrit Kurti në Maqeoni të Veriut dhe kritikat për organizimet në Tetovë e Çair ku mori pjesë ai, nuk do t’i dëmtojnë marrëdhëniet bilaterale Kosovë-Maqedoni e Veriut.
“Marrëdhëniet me Kosovën janë të shkëlqyeshme, edhe ato do të ngelin ashtu. Në asnjë qëndrim gjatë fjalimeve të kryeministrit Kurti nuk pashë negativitet ndaj marrëdhënieve të të dy shteteve që është për t’u përshëndet. Në Qeverinë e Maqedonisë ka edhe tri parti politike shqiptare që sigurisht nuk do të lejonin që kjo t’i keqësojë marrëdhëniet e Maqedonisë me Kosovën. Marrëdhëniet bilaterale mes të dy shteteve nuk besoj që ndonjëherë kanë qenë më mirë sesa janë tash”, ka thënë Musliu.
Musliu i ka komentuar deklaratat e presidentit maqedonas Pendarovski, i cili tha se në organizimet në “Tetovë e Çair u promovuan ide shoviniste. Sipas tij, këto qëndrime ishin të shpejtuara.
“Këtu mendoj se edhe kryetari i shtetit shpejtoi pak me qëndrimet e veta se aty ka qenë një masë e madhe e popullit dhe nuk mund të përgjigjet organizatori për sentimentet e çdonjërit që merr pjesë në atë ngjarje. Nuk ka pasë ndonjë provokim ma të cekur nga organizatorët. Ne e kemi edhe si traditë shqiptarët që gjatë ndodhive, gjatë organizimeve më shumë përdoret flamuri kombëtar se ai shtetëror, edhe për këtë duhet të japin përgjigje ata të cilët e kanë organizu. Po të ketë pasë ndonjë provokim ashtu siç u prezentua, nuk ka pasë. Pikërisht edhe nga kryeministri Kurti, ai ka pasë dy fjalimë edhe në Çair edhe në Tetovë, të cilat ishin korrekte, miqësore si kryeministër i një shteti miqësor ndaj Maqedonisë”, ka thënë Musliu në një lidhje direkte në Ditari në Tëvë 1.
Sipas tij nuk ka arsye që të kritikohet as riemërtimi i një rruge në Çair me emrin e veprimtarit Adem Demaqi.
“Unë nuk besoj se ajo është bë në kundërshtim me ligjin. Nuk besoj që udhëheqësia e Çairit do ta kishte leju që një rast i tillë ku nderohet një velikan i popullit shqiptar, do të bëhej me procedura të cilat do ta anashkalonin ligjin. Nuk e kuptoj pse kryetari Pendarovski kishte reagim të tillë për shkak se këto katër vite të cilat ka qenë kryetar i shtetit ka qenë shumë i matur dhe korrekt ndaj marrëdhënieve ndëretnike. Po mundet shkaku i emocioneve të momentit dhe reagimeve të disa subjekteve pak më ekstreme, e ka shty të reagoj në atë mënyrë. Unë mendoj se e kishte gabim për të dy qëndrimet”, ka shtuar Musliu.