Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi ka pyetur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti se cilat tema do të diskutohen në takimin e radhës që zhvillohet në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.
Poashtu, Musliu-Shoshi ka pyetur Kurtin se pse nuk e ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës, planin franko-gjerman.
“Përmbajtën tekstuale e kam ndarë me kryetaret e partive opozitare, por jo edhe në Kuvend të Republikës. Nuk ka mbetur asgjë e panjohur nga ai propozim që paraqet bazë të mirë për negocim që fillojnë të hënën”, ka thënë ndër të tjera Kurti në fjalën e tij.
Më tutje, ai ka thënë se propozimi i BE-së i njohur si franko-gjerman më shumë ka të bëjë me historinë e një dekade të dialogut të zhvilluar në Bruksel.
Aleatët e Kosovës, sipas tij, e kanë dizajnuar si një pako që avanson Kosovën në integrimet europiane dhe se përmban njohjen de fakto të Kosovës nga ana e Serbisë.