Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se iniciativa e opozitës për mbështetjen financiare ndaj Policisë së Kosovës nuk është as betejë politike e as betejë për vota.
Në seancën e sotme të Kuvendit Musliu-Shoshi shtoi se pozita nuk është e interesuar të dëgjojë e as votojë ligjet që janë me interes për Policinë e Kosovës, raporton Indeksonline.
“Kjo nuk është seanca e parë në të cilën ne diskutojmë për kushtet e policëve të Kosovës, është seanca e tretë. Dhe çka kemi? Konkretisht kemi një pozitë e cila as nuk dëgjon, as nuk voton e as nuk merr pjesë në seancë. Për korrektësi, më duhet të flas si anëtare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut – kryetarja e këtij Komisioni tha se ishte vetëm pozita prezent. Më lejoni të theksoj se ishte vetëm opozita. Në bazë të rregullores së Kuvendit, me 1/3 e anëtarëve nuk ka mundësi të mbahet mbledhje e Komisionit, mirëpo mund të shndërrohet në dëgjim publik. Një gjë të tillë e kemi bërë dhe ka qenë dëgjim publik me anëtarët e Sindikatës së Policisë së Kosovës” tha Musliu-Shoshi.
Ajo prezantoi peticionin e nënshkruar nga mbi 60 për qind të policëve të Policisë së Kosovës, ku kërkohen kushte më të mira për ta, përfshirë shtesën e rrezikshmërisë dhe shujtat ushqimore.
Nga janari e deri në gusht, siç thekson Musliu-Shoshi, Policia ka 60 anëtarë më pak, të cilët janë dorëhequr me vullnet nga detyra e tyre.
Musliu-Shoshi thotë se mazhoranca e do Policinë për darka, për t’u krekosur me veprimet e tyre, por jo edhe për t’i mbrojtur, për t’i paguar për rrezikshmëri e për pajisje mbrojtëse e as për t’i vlerësuar si duhet.