Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, ka folur lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në rastin e dekretit të Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
Musliu-Shoshi ka thënë se PDK gjithmonë i ka respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe se edhe tani do ta respektojë.
“Ne, si gjithmonë, i respektojmë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe këtë vendim patjetër që do ta respektojmë. Ashtu siç rrjedhin afatet, edhe ne jemi gati si Parti Demokratike për të gjitha veprimet që do të merren në vazhdimësi.”
“Ne do ta ftojmë edhe Këshillin Drejtues si organi më i lartë vendimmarrës, ku edhe do t’i diskutojmë çështjet e fundit politike që kanë ndodhur dhe patjetër që do të dalim me një vendim se si do të veprojmë”, ka thënë ajo.






