Musliu-Shoshi: PDK nuk takohet me Kurtin pa një letër ku shkruhet se çfarë kërkon

- Advertisement -

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se partia e saj kërkon marrëveshje politike të qartë për zgjedhjen e presidentit dhe nuk do të hyjë në proces pa garanci konkrete.

Në Debat Plus, ajo tha se PDK ka kërkuar që dy kandidatët për president të jenë nga radhët e saj, duke theksuar se pa një marrëveshje politike, nuk ka kuptim të propozojnë emra.

“Ne kemi kërkuar që dy emrat e propozuar të jenë nga PDK-ja. E dimë që nëse ne shkojmë me një emër dhe LVV me një emër, ata i kanë votat, ndërsa ne jemi vetëm 22 deputetë”, ka deklaruar Musliu-Shoshi.

Sipas saj, në mungesë të një marrëveshjeje, ekziston rreziku që kandidati i PDK-së të humbë dhe të komprometohet publikisht.

Ajo ka theksuar gjithashtu se PDK nuk do të marrë pjesë në takime me kryeministrin Albin Kurti pa një ftesë zyrtare dhe të qartë.

“Me kërkesa në WhatsApp, PDK nuk takohet më me Kurtin. Ne kërkojmë që të ketë letër në të cilën shkruhet qarët se çfarë kërkon, cilat janë pritshmëritë dhe cila është mënyra që Kurti pranon një president. Pastaj kjo letër do të jetë edhe publike dhe do të diskutohet ne Këshill të partisë”, ka deklaruar Musliu-Shoshi.

Musliu-Shoshi shtoi se një letër e tillë do të shqyrtohet në organet e partisë dhe më pas do të merret një qëndrim përfundimtar lidhur me pjesëmarrjen në proces.

Të ngjashme

Të fundit