Më 5 nëntor bëhen 3 vjet nga arrestimi i ish-udhëheqësve të UÇK-së, nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë. Megjithatë procesi gjyqësor është ende në periudhën fillestare.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu tha se puna e Dhomave të Specializuara në Hagë ka filluar të bëhet shqetësuese, jo vetëm për PDK-në, por edhe për gjithë qytetarët e Kosovës, e me theks të veçantë për ata të cilët po përballen me një gjyq të padrejtë e politik.
“Duke pasur parasysh që po bëhen tri vjet dhe ne nuk po shohim aspak seriozitet në punën e Dhomave të Specializuara. Ngjarjet e fundit të bastisjeve të ish-këshilltarëve të ish-presidentit Thaçi, e para disa javësh konfiskimi i telefonave të personave të caktuar në Kosovë, tregon qartë, se kjo gjykatë e ka devijuar komplet rrugën e saj në mungesë të provave, për të vërtetuar ato aktakuza që veç i ka ngritur, do të thotë ka filluar të bëjë spektakël dhe të bëjë lojëra të tilla që nuk i duhen as Kosovës dhe as kredibilitetit të Dhomave të Specializuara”, tha ajo për RTK Prime.
Sipas saj, Dhomat e Specializuara janë votuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe ato kanë dalë jashtë kontrollit për çdo gjë, nuk ka transparencë as llogaridhënie.
“Ato dhoma janë themeluar për zbardhjen e të vërtetës për trafikimin e organeve, ndërsa ne kemi dëgjuar gjithçka për këto tri vjet, por asnjë fjalë të vetme, asnjë dëshmi dhe as një provë të vetme rreth zbardhjes së rastit për trafikimit të organeve. Kështu që ne po e përcjellim me shqetësim të madh të gjithë ngjarjen dhe zhvillimet që po ndodhë atje dhe sot bëjmë një thirrje publike që këto lojëra të ndalen, sepse tashmë më shumë i përngjan përndjekjeve politike se sa arsyeshmërisë së për çka u themelua kjo gjykatë”, tha ajo.