Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, përmes një postimi në rrjetet sociale ka reaguar ashpër ndaj situatës aktuale politike në vend, duke theksuar se Kosova është duke u qeverisur nga rrjete informale të pushtetit, dhe jo nga rendi kushtetues.

Musliu ka kritikuar qasjen e kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se “inatet e tij dhe mungesa e vizionit politik” po e mbajnë peng të ardhmen e vendit. Ajo e ka cilësuar qeverisjen aktuale si të zhytur në populizëm, improvizim dhe mungesë të thellë konsensusi kombëtar.

Ajo ka propozuar krijimin e një Këshilli Ndërpartiak të Politikave Kombëtare, një forum joformal, por i strukturuar, që do të përfshinte përfaqësues nga të gjitha partitë parlamentare për të trajtuar çështje madhore si dialogu me Serbinë, reforma në drejtësi, integrimi evropian dhe arsimi.

“Në këtë kaos, shumë veta dhe shumë gjëra lulëzojnë, por vetëm qytetarët jo,” shkruan Musliu, duke shtuar se nuk është më kushtetuta ajo që udhëheq shtetin, por rrjetet informale, servilizmi dhe favorizimi.

Ajo theksoi se qëllimi i këtij Këshilli do të ishte ruajtja e kohezionit kombëtar dhe sigurimi i një rruge politike të përbashkët në temat strategjike, pa implikime financiare dhe pa cënim të qeverisjes ekzistuese.

Musliu përmbylli reagimin e saj me një thirrje për përgjegjësi qytetare dhe politike:

“Kosova nuk do të reformohet kurrë vetëm duke luajtur me slogane. Sot kemi nevojë për më pak shfaqje dhe më shumë parime.”, ka shkruar Musliu.