Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka reaguar pas vdekjes së Agon Zejnullahut në Lipjan, gjatë arrestimit të tij nga pesë zyrtarë policorë.
Musliu thotë se “nuk guxojmë të lejojmë rrëshqitjen e shtetit tonë drejt formave të kontrollit represiv ose të kontrollit të tepruar policor”.
Në asnjë rrethanë nuk mund të justifikojë abuzimin me forcën apo tejkalimin e autoritetit ligjor.
Prandaj kërkoj që ky rast të hetohet me urgjencë, në mënyrë të pavarur, transparente dhe profesionale. Qytetarët kanë të drejtë të dinë të vërtetën, dhe askush nuk qëndron mbi ligjin, asnjë individ dhe asnjë institucion. Si një nga avokueset më të zëshme të Policisë së Kosovës, jam plotësisht e vetëdijshme për sfidat me të cilat përballen pjesëtarët e saj çdo ditë, nga mungesa e mbështetjes institucionale, trajtimi i papërshtatshëm profesional, e deri te mungesa e kushteve për një punë dinjitoze”, ka shkruar ndër të tjera Musliu.
Postimi i plotë:
REAGIM
Ngjarja tragjike që ndodhi në Lipjan, ku një person humbi jetën pas një ndërhyrje policore, ka tronditur opinionin publik dhe ka ngritur shqetësime serioze për reagimet e zyrtarëve policorë dhe dyshimet për perdorimin disproporcional të forces.
Pamjet e publikuara janë të rënda dhe kërkojnë përgjigje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse.
Ajo çfarë duhet të themi qartë është se ne nuk guxojmë të lejojmë rreshqitjen e shtetit tonë drejt formave të kontrollit represiv ose të kontrollit të tepruar policor.
Në asnjë rrethanë nuk mund të justifikojë abuzimin me forcën apo tejkalimin e autoritetit ligjor.
Prandaj kërkoj që ky rast të hetohet me urgjencë, në mënyrë të pavarur, transparente dhe profesionale. Qytetarët kanë të drejtë të dinë të vërtetën, dhe askush nuk qëndron mbi ligjin, asnjë individ dhe asnjë institucion.
Si një nga avokueset më të zëshme të Policisë së Kosovës, jam plotësisht e vetëdijshme për sfidat me të cilat përballen pjesëtarët e saj çdo ditë, nga mungesa e mbështetjes institucionale, trajtimi i papërshtatshëm profesional, e deri te mungesa e kushteve për një punë dinjitoze.
Në të njëjtën kohë, si përfaqësuese politike, por edhe si qytetare e këtij vendi, ndjej detyrim të ngre zërin për të dënuar çdo formë të përdorimit joproporcional të forcës, veçanërisht kur ajo vjen nga organet që kanë për detyrë të garantojnë siguri dhe të mbrojnë qytetarin.
Policia e Kosovës, me gjithë sfidat e rënda nëpër të cilat ka kaluar përgjatë këtyre 26 viteve në liri, ka qenë gjithmonë institucioni më i besueshëm në vend. Mos të lejojmë që rastet e tilla të dëmtojnë këtë imazh.
Por, shpeshtësia e rasteve të tilla është një alarm për rrezikun që i kanoset institucionit të policisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit, prandaj kjo ngjarje tragjike duhet të jetë një pikë kthese për reflektim të thellë nga shteti, shoqëria dhe institucionet tona. Policia e Kosovës ka nevojë për reforma urgjente dhe përgatitje të përshtatshme për zyrtarët policorë në mënyrë që ata të performojnë në mënyrën më të mirë.
Drejtësia duhet të jetë e shpejtë dhe e palëkundur.
Shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjes së të ndjerit.