Ish-deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka deklaruar se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti kanë shkatërruar diplomacinë e Kosovës.
Musliu thotë se presidentja Osmani është e orientuar në LVV, pasi siç tha ajo, shpreson një mandat të ri presidencial.
Derisa, anëtarja e PDK-së ka akuzuar presidenten duke thënë se politikat e saj janë “kokë e këmbë” në politikat e Dejona Mihalit.
“E kanë shkatërruar diplomacinë e Kosovës Vjosa Osmani me Donika Gërvalla e Albin Kurtin. Presidentja Osmani sot është komplet e orientuar në Lëvizjen Vetëvendosje, përçan çdo ditë, shpërndan gjuhë urrejtje, rehabiliton vajzat e saj të cilat shkojnë më truprojë në shkollë. Vjosa Osmani sot i vardiset Lëvizjes Vetëvendosjes sepse shpreson edhe në një mandatë të ri presidencial, as një sekondë të punës së saj nuk ka treguar neutralitet, është një presidente e cila është në kokë e këmbë në politikat e Dejona Mihalit”, ka deklaruar Musliu në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Sa i përket zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen më 28 dhjetor, Musliu thotë se Bedri Hamza do ta ketë pozitën e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës.
“Konsideroj se adresa është e qartë për krejt këtë situatë të krijuar, adresa është Lëvizja Vetëvendosje. LVV ka ardhur në pikën që ka dashtë që vendi të shkojë përsëri në zgjedhje, e ka abuzuar me besimin që ia kanë bë qytetarët e Kosovës. S’ka pasur synimin asnjëherë të konstituoj organet e shtetit. Gjithçka është rritur, produktet ushqimore, energjia elektrike. Pas 28 dhjetorit Kosovën do t’a drejtoj kryeministri në ardhje Bedri Hamza”, tha ajo ndër të tjera.






