Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka thënë se Kuvendi i Kosovës është shndërruar në një skenë teatri, ku tha se rolet janë të ndara.
Sipas saj, PDK, LDK dhe AAK me konferenca për shtyp në njërën anë, ndërsa VV, Alternativa dhe Guxo, si duartrokitës të verbër të liderit suprem, në anën tjetër.
“Nuk ka më debat të vërtetë politik. Ka vetëm monolog. Në vend të transparencës dhe vendimmarrjes, kemi improvizim. Në vend të përgjegjësisë, kemi tallje me besimin e qytetarëve”.
“Në vend të dialogut, kemi arrogancë dhe përçarje. Kosova po humbet kohë. Ajo ka mbetur peng i një lideri partiak që refuzon të bashkëpunojë, të dëgjojë dhe të ndryshojë”, shkroi Musliu, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, Musliu tha se Kosova ka nevojë për udhëheqje që ndan pushtetin, ndërton ura dhe e vendos shtetin para egos.
“As si politikbërës, as si qytetarë, nuk duhet të rrimë duarkryq përballë një njeriu që po shkatërron çdo mundësi për zhvillim, paqe dhe integrim. Të zgjohemi dhe ta nxjerrim Kosovën nga KURTHI I KURTHIT”.
“Sepse nuk është futur në kurth vetëm Kuvendi , është futur në kurth e ardhmja e Kosovës. Aktivizimi qytetar nuk matet me votë njëherë në katër vjet. As vetëm me konferenca për shtyp njëherë në javë.
“Matet me zë, qëndrim, veprim dhe reagim të vazhdueshëm. Nëse nuk veprojmë sot ,nesër do të jetë vonë”, shkroi Musliu.
Nesër Kuvendi i Kosovës do ta ketë tentimin e 23-të për konstituim, ku Lëvizja Vetëvendosje ka dështuar për 22 herë ta zgjedh Albulena Haxhiun si kryeparlamentare.