Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka reaguar ashpër pas vendimit të qeverisë për t’u shpërndarë nga 100 euro studentëve, vetëm pak ditë para balotazhit të zgjedhjeve lokale.
Në një postim në rrjete sociale, Musliu e ka cilësuar këtë veprim si “përpjekje për të blerë heshtjen e rinisë” dhe ka thënë se studentët po përdoren si “vegla elektorale”.
“Mos e shitni të ardhmen për 100 euro! Sot, Albin Kurti u kujtua për studentët, jo se ju do, por sepse ka nevojë për votën e tyre… Kjo nuk është ndihmë, është manipulim,” ka shkruar Musliu, duke shtuar se rinia nuk blihet me 100 euro, por “ngrihet, flet dhe nuk lejon të përdoret.”
Ky reagim vjen pas njoftimit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, se janë procesuar pagesat për mbi 49 mijë studentë që përfitojnë shumën e njëhershme prej 100 eurosh, me arsyetimin se është mbështetje për fillimin e vitit akademik.
Postimi i plotë:
Mos e shitni të ardhmen për 100 euro!
Sot, Albin Kurti u kujtua për studentët, jo se ju do, por sepse ka nevojë për votën e tyre.
Albini sot, dy ditë para zgjedhjeve për balotazh shpërndau 100 euro për ta blerë heshtjen e rinisë, për t’i kthyer studentët në vegla elektorale.
Kjo nuk është ndihmë, është manipulim.
Studentët nuk kanë nevojë për lëmoshë, por për mundësi:
Për universitete me kushte dinjitoze,
Për bursa reale dhe punësim pas studimeve,
Për një qeveri që i respekton si forcë që e ndryshon vendin, jo si numra në një listë zgjedhore.
Mos lejoni që një pagesë prej 100 eurosh të bëhet hipotekë katërvjeçare për të ardhmen tuaj.
Nëse sot e shpërbleni këtë tallje me votë, nesër do t’ju shpërblejnë me zhgënjim.
Rinia nuk blihet me 100 euro.
Ajo ngrihet, flet, dhe nuk lejon të përdoret






