Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka komentuar masën e përkohshme të vendosur nga Gjykata Kushtetuese që ndalon çfarëdo veprimi drejt krijimit të institucioneve të reja.

Musliu ka thënë se shteti është bllokuar për një pozitë që nuk ka peshë e as ndikim.

Deputetja thekson se kush nuk di të qeverisë, bën teatër me institucione ku shton se republika nuk është lodër për interesa partiake.

“Shteti sërish i bllokuar për një pozitë që s’ka as peshë, as ndikim. Populizmi dhe mungesa e përgjegjësisë po i kushtojnë vendit edhe 30 ditë pa funksionim. Kush nuk di të qeverisë, bën teatër me institucione. Republika nuk është lodër për interesa partiake”, tha ajo.

Ndër të tjera Musliu, thotë se Kosova po kalon ditët më të vështira të saj.

Ajo shton se pa Kuvend funksional nuk ka demokraci por ka vetëm qeveri autoritare me mungesë totale të legjitimiteti ligjor e moral.

“Qytetarët nuk votuan për një kuvend të heshtur, për deputetë që s’kanë më as emër e as zë. Ata votuan për përfaqësim, për ndryshim dhe për përgjegjësi. Pa Kuvend funksional, nuk ka demokraci, ka vetëm qeveri autoritare me mungesë totale të legjitimitetit ligjor e moral. Kosova po kalon ditet me te veshtira te saj”, përfundoi Musliu për Blic