9 C
New York
Thursday, November 13, 2025

Buy now

Musliu: Faton Peci po përballet me “karmën”, dikur edhe ai më quajti “përfaqësuese të krimit”

- Advertisement -

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka reaguar pas njoftimit të Faton Pecit për kallëzim penal ndaj gazetarit Mehmetaj, duke e quajtur situatën “ironi të fatit” dhe “karma në veprim”.

Ajo kujtoi se Peci e kishte quajtur më herët “përfaqësuese të krimit” gjatë një seance parlamentare, pasi ajo e kishte kritikuar për keqpërdorime.

Musliu tha se për këtë rast ka dorëzuar padi në gjykatë dhe shtoi se koha do të tregojë “kush është përballë ligjit e kush fshihet pas tij”.

“Faton Peci qenka hidhëruar me një gazetar që e ka quajtur ‘kriminel’. Ironia e fatit, apo thjesht karma në veprim? Ka harruar ai më quajti përfaqësuese të krimit, pikërisht në një moment kur e zura në flagrancë gjatë raportimit të tij në Komisionin Parlamentar. Atëherë, në vend që të kërkonte falje e të jepte llogari për shkeljet e keqpërdorimet që bënte, zgjodhi të më sulmonte publikisht, tipike për ata që mendojnë se pushteti i mbron nga përgjegjësia. E për këtë, natyrisht, dorëzova padi në gjykatë e koha do të tregon se kush është vërtet përballë ligjit, e kush fshihet pas tij”, ka shkruar deputetja Musliu.

Pasditen e së mërkurës, Faton Peci njoftoi për Kallëzim Penal ndaj Ekrem Llukës, Lirim Mehmetajt e Ermal Pandurit. Krejt kjo sipas tij, Mehmetaj në emisionin “Debat Plus” e quajti kriminel dhe e krahasoi me Sllobodan Millosheviqin.

Postimi i plotë i tij:

Kallëzim Penal kundër Ekrem Llukës, Lirim Mehmetajt dhe Ermal Pandurit

Mbrëmë, më datën 11 nëntor 2025, në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, gazetari Lirim Mehmetaj më ka quajtur “kriminel”, e më pas ka shkuar edhe më tej duke më krahasuar me Kasapin e Ballkanit – Sllobodan Millosheviq.

Në këtë emision live, ky gazetar ka thënë: “nëse shkohet me logjikën që dikush nuk mund të quhet kriminel pa pasur një vendim gjyqësor, atëherë as Millosheviqi nuk duhet të quhet kriminel”.

Ky krahasim absurd dhe i qëllimshëm, i bërë publikisht në një televizion vendor, është ofendim i rëndë dhe fyerje ndaj meje si person, por edhe ndaj qytetarëve të cilët i përfaqësoj, të cilët kanë vuajtur drejtpërdrejt nga regjimi i kriminelit Millosheviq.

Duke e ditur ndjeshmërinë publike mbi këtë çështje, krahasimi im me një nga kriminelët më të mëdhenj të njerëzimit, përbën rrezik për jetën time dhe të familjes, ngjall urrejtje dhe përbën sulm të qëllimshëm, duke synuar lëndimin e integritetit tim personal.

Ky nuk është rasti i parë e as i vetmi që ky pseudo-gazetar shprehet me gjuhë urrejtjeje dhe etiketime të papranueshme, në kundërshtim me çdo standard etik e profesional të gazetarisë.

Për këtë arsye, në mbrojtje té dinjitetit e integritetit tim personal, publik e politik, ju njoftoj se shumë shpejt do të deponoj kallëzim penal ndaj Lirim Mehmetajt për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” dhe vepra të tjera të ndërlidhura, të përcaktuara në Kodit Penal të Republikës së Kosovës, pasi që deklaratat e tilla synojnë qartë prishjen e rendit publik, nxitjen e urrejtjes, krijimin e një klime përqarëse e mosbesimi ndaj personaliteteve publike e institucioneve tě Kosovës.

Në një shtet demokratik dhe ligjor, fjala e lirë nuk mund të keqpërdoret për shpifje, fyerje dhe nxitje të urrejtjes. Liria e shprehjes është e garantuar, por ajo nuk përfshin të drejtën për të poshtëruar dhe për të cenuar dinjitetin e të tjerëve, aq më pak përfaqësuesve të zgjedhur nga qytetarët.

Po ashtu, do të inicoj procedura ligjore të kallëzimit penal, dhe ankesë në KPM edhe ndaj RTV Dukagjini dhe drejtuesve të tyre, pasi që jashtë skemës së zakonshme programore kanë dizajnuar, orkestruar e implemtuar një fushatë që po zgjatë që një vit e gjysmë, gjatë së cilës pandërprerë e në mënyrë sistematike është sulmuar, demonizuar, fyer e baltosur personaliteti im si njeri, si politikan e si qeveritar. Kjo ka ndodhë nën organizimin e Ermal Pandurit, por natyrisht se dirigjimi vjen nga pronari Ekrem Lluka, sepse nuk është e mundshme që brenda shtëpisë së tij mediale të krijohet një platformë e veçantë kundër një njeriu dhe ku vijnë e shfryhen pseudoanalistë e pseudogazetarë dhe ai mos të këtë dorë në këtë inxhiniering. Tani, kur krejt akuzat e njollosjet si dhe përpjekjet për frenimin e fitores sime në Mitrovicë iu dolën bllof, shpalosin edhe krahasimin që e shpjegova më lart.

Prandaj, t’gjithë bashkë do t’i kallëzojmë penalisht e para gjykatës le ta shpjegojnë arsyen e kësaj fushate të denigrimit, sulmit, fyerjes dhe gjuhës së urrejtjes kundër meje si figurë publike e politike, por si qytetar i këtij vendi.

Le t’i tregojnë gjykatësit pse në televizionin e tyre po përhapin e po nxisin përçarje dhe mosdurim si dhe pse po lejojnë akuza e gjuhë denigruese e të urrejtjes, shpifje e fyerje në kundërshtim   me ligjin e me çdo kod etik të mediave dhe akteve të aplikueshme në Kosovë.

I juaji,

Faton Peci

Të ngjashme

Të fundit