Mesfushori i Kombëtares së Kosovës, Florent Muslija, është shprehur i kënaqur me paraqitjen e skuadrës në ndeshjen ndaj Sllovenisë, që u mbyll pa gola në “Fadil Vokrri”.
Ai beson se Kosova dha maksimumin dhe se në përballjen e radhës ndaj Suedisë mund të pikët e plota.
Në një prononcim për RTK pas ndeshjes, Muslija theksoi se skuadra zhvilloi një ndeshje të mirë, por i mungoi vetëm goli.
“Besoj që kemi treguar një performancë shumë të mirë. Krejt ekipi e ka dhënë maksimumin. Në fund na mungoi vetëm goli për ta fituar lojën, por besoj se ndaj Suedisë mund të fitojmë.”
Mesfushori i skuadrës “Dardane” u shfaq ndër më të mirët në fushë, duke krijuar disa raste dhe duke rrezikuar mbrojtjen sllovene me depërtimet e tij.
“E kam vërejtur që kundërshtarët nuk janë aq të shpejtë dhe e kam shfrytëzuar momentin. E dija që një kundër një nuk mund të më ndalin. Ndaj Suedisë duhet të tregojmë të njëjtën performancë dhe të fitojmë tri pikë,” theksoi ai.
Kombëtarja e Kosovës do të kthehet sërish në aksion të hënën, ku do të përballet në udhëtim me Suedinë, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.