16.2 C
New York
Saturday, June 14, 2025

Buy now

Mushkolaj: VV e sheh më të rëndësishëm militantin sesa lirinë e mediave – sulmet e tyre janë të qëllimshme

- Advertisement -

Gazetari dhe analisti Imer Mushkolaj ka kritikuar ashpër mënyrën se si Lëvizja Vetëvendosje, dhe në veçanti Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i trajtojnë mediat në Kosovë.

Sipas Mushkolajt, sulmet ndaj mediave janë të qëllimshme dhe bëhen për të kënaqur një pjesë të militantëve të partisë, edhe në kurriz të lirisë së shtypit.

“Njerëzit e VV-së janë të vetëdijshëm që kjo nuk është mënyra e duhur për t’u qasur mediave. Mendoj se këtë e bëjnë me vetëdije të plotë. Kurti dhe njerëzit e partisë së tij e shohin shumë më të rëndësishme që ta mbajnë pjesën e militantëve të lidhur pas vetes, madje edhe me çmimin e sulmit ndaj mediave dhe rënies së lirisë së mediave në indekset ndërkombëtare,” deklaroi Mushkolaj.

Ai theksoi se retorika se “mediat janë armiqësore ndaj VV-së” është e rrezikshme dhe se përdorimi i shprehjeve fyese ndaj mediave, si “jau kanë ndalë taxhinë”, është krejtësisht i papranueshëm.

“Që një kohë të gjatë po thuhet se mediat kanë qasje armiqësore ndaj VV-së, për shkak të një fjale që ata e përdorin dhe që është krejtësisht e papranueshme – ‘jau kanë ndalë taxhinë’. Me këtë logjikë, ne si media do të duhej të ishim mbyllur menjëherë që kur ka ardhur VV-ja në pushtet. Por, për fat të mirë, mediat nuk janë mbyllur, përkundrazi – po hapen të reja dhe po vazhdojnë ta mbajnë veten me gjithë vështirësitë që kanë, dhe ta kryejnë punën e vet,” tha ai.

Mushkolaj kritikoi ashpër idenë që një parti politike t’i konsiderojë mediat si armiq dhe shtoi se për fat të mirë në Kosovë ekziston një kulturë kritike mediatike.

“Unë nuk mund ta kuptoj se si një parti politike, siç është VV-ja, t’i konsiderojë mediat si armiqësore. Ata ndoshta mendojnë se mediat nuk duhet të ekzistojnë fare. Por fati i mirë është që në Kosovë ka media kritike, të cilat e kanë marrë përsipër të dekonstruktojnë edhe deklarimet e veprimet që vijnë nga pushteti – dhe kjo po iu dhemb atyre,” u shpreh ai.

Në fund, Mushkolaj theksoi se është e papranueshme që politika të ndërhyjë në mënyrën si funksionon gazetaria, duke kërkuar që qeveritë të respektojnë lirinë e mediave dhe të mos tentojnë të ndikojnë në përmbajtjen apo drejtimin e tyre.

“Politika nuk duhet asnjëherë dhe në asnjë rast t’i mësojë mediave se si të bëhet gazetaria. Mediat i kanë problemet e veta, për të cilat nuk merren shumë qeveritë apo institucionet. Mediat përpiqen ta kryejnë punën e tyre sa më mirë që munden, dhe ajo që është pozitive është se, në raport me ato në rajon, mediat në Kosovë janë jashtëzakonisht kritike,” përfundoi Mushkolaj në Blic Interview me Astrit Gashin.

Të ngjashme

Të fundit