Analisti Imer Mushkolaj, në “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ka thënë se deklarata e ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, se Gani Jakupi nuk e ka pagën shtatë mijë e 500 euro është shqetësuese dhe problematike.
“Për mua është shumë shqetësuese që znj.ministre përpiqet me qitë me tjetër rrafsh një kontratë që është jotransparente, e cila është bërë me një person për 12 muaj me shumën 90 mijë euro, plus shpenzimemt. Është shumë problematike”, ka thënë Mushkolaj.
“Znj.ministre dhe Ministria e saj nuk njihen për transparencë…Këta nuk i ofrojnë qasje mediave”, ka thënë Mushkolaj.
Ai ka thënë se kontrata është publikuar dhe se tashmë dihet se vlera e saj është 90 mijë euro, duke shtuar kështu se ministrja ka gënjyer publikisht lidhur me këtë çështje.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se Gani Jakupi nuk paguhet shtatë mijë e 500 euro në muaj ashtu siç është raportuar në media.
Gërvalla ka thënë se “për t’i mëshuar dikujt tjetër, ekspozohen në publik njerëz që nuk i kanë bërë asnjë të keqe këtij vendi”.