17.4 C
New York
Tuesday, June 10, 2025

Buy now

Mushkolaj: Nëse shkohet në zgjedhje, PDK-ja fituesja më e madhe, jo VV-ja

- Advertisement -

Analisti politik, Imer Mushkolaj, ka deklaruar në emisionin Debat Plus se skena politike kosovare pritet të pësojë ndryshime të mëdha në rast të zgjedhjeve të reja, me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) që pritet të dalë fituese, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje nuk do të arrijë të mbajë avantazhin.

“Fillimisht, NISMA Social Demokrate do të vendosë interesin partiak dhe do të hyjë në qeveri. NISMA dhe AAK-ja janë humbëset më të mëdha në zgjedhje dhe nuk mund të hyjnë në një koalicion parazgjedhor pas situatës së krijuar,” u shpreh Mushkolaj.

Sipas tij, kreu i NISMËS, Fatmir Limaj, do të pranojë të bëhet pjesë e qeverisë dhe do të japë votën për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Duke folur për Vetëvendosjen, Mushkolaj theksoi se kjo parti nuk do të arrijë qëllimin e saj në zgjedhje të reja. “VV do t’i fajësojë të tjerët për situatën e krijuar, por partia fituese nuk ka arritur të bëjë koalicionin për formimin e qeverisë. Pse duhet të viktimizohet edhe njëherë me narrativën ‘unë desha, por ata s’pranuan’? Në këtë rast, Vetëvendosja nuk do të arrijë t’i fitojë zgjedhjet nëse shkohet në to,” deklaroi Mushkolaj.

Sipas tij, Partia Demokratike e Kosovës pritet të jetë fituesja më e madhe në rast të zgjedhjeve të reja.

Në lidhje me qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Mushkolaj u shpreh: “LDK-ja ka kërkuar qeveri tranzitore, tani qeveri të unitetit. Por aktualisht, LDK-ja është në një situatë të paqartë — as me Sheher, as me Barilevë. Nuk po do të hyjë në qeveri. Situatë e çuditshme dhe aspak e favorshme për LDK-në.”

Të ngjashme

Të fundit