Analisti Imer Mushkolaj, ka deklaruar se Kosova e ka pranuar themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe dhe Serbia e ka pranuar njohjen de facto.
Në emisionin “Debat Plus”, në RTV Dukagjini, Mushkolaj ka theksuar se edhe kryeministri Albin Kurti në Kosovë edhe presidenti Aleksandër Vuçiqi në Serbi po kërkojnë modalitete se si ta prezantojnë te publiku kompromisin që e kanë arritur.
“Ajo çka është evidente dhe e qartë është se Kosova e ka pranuar ta themelojë Asociacionin qoftë si pjesë e pakos ose jo, ajo është çështje tjetër edhe në anën tjetër Serbia e ka pranuar që ta njohë Kosovën de facto. Kjo mbajtja fshehtë e draft-statutit edhe nga Kosova edhe nga Serbia bëhet vetëm ta përgatisin publikun në Kosovë e Serbi për kompromiset që janë bërë nga të dy. Kurti mund të thotë me retorikën e vetë se Asociacioni do të jetë ashtu apo kështu, por e vërteta është se është pranuar. Vuçiq në Serbi tash i ka zgjedhjet dhe nëse e përcjellim fushatën atje e shohim se retorika e tij nuk është ndryshuar, përkundrazi ajo është forcuar kundër pavarësisë së Kosovës. Ai e ka shansin e fundit që t’i fitojë edhe njëherë zgjedhjet duke luajtur me kartën e Kosovës. Zbatimi i marrëveshjes nuk do të mund të fillojë këtë vit”, tha Mushkolaj.
“Edhe Kurti në Kosovë edhe Vuçiqi në Serbi po kërkojnë modalitete se si ta prezantojnë te publiku kompromisin që e kanë arritur. Publiku në Kosovë e Serbia duhet të përgatitet për atë se çka do të vijë.
Analisti Mushkolaj potencon se bëhet fjalë për autonomi thelbësore për serbët e Kosovës.
Ai thotë se logjikisht, Asociacioni ka kompetenca.
“Çka vjen natyrisht se bëhet fjalë për një kuadër të vetëqeverisjes që nënkupton një autonomi thelbësore për serbët. Këtu bëhet fjalë për kuadër vetëqeverisës që nënkupton një autonomi thelbësore për serbët e që është një autonomi apo të drejta shumë më të mëdha se sa ato që na janë thënë sipas modelit kroat. Logjikisht Asociacioni ka kompetenca”, shtoi Mushkolaj.