Valon Murtezaj theksoi se, rritja e LDK-së në këto zgjedhje mund të interpretohet në mënyra të ndryshme, duke nënkuptuar se është një përmirësim, por jo në masën që ishte parashikuar dhe dëshiruar nga LDK.
Ai theskoi se për LDK-në, që ka qenë një nga partitë kryesore demokratike në Ballkan, mbrojtja dhe promovimi i vlerave themelore si liria dhe demokracia janë gjithmonë në qendër të angazhimeve të saj. Sipas tij, këto vlera janë ndërtuar dhe mbajtur me kujdes nga LDK, dhe se nuk është vetëm fitimi i numrit më të madh të votave që ka rëndësi, por edhe mbrojtja e këtyre vlerave që janë thelbësore për funksionimin e një shoqërie demokratike.
Murtezaj gjithashtu përmendi se ndoshta fokusi i partisë në përpjekjen për të rritur përqindjen e votave për një periudhë të shkurtër, mund të ketë pasur ndikim në rezultatet e pritura, duke theksuar se ndoshta LDK ka nevojë të rikthehet në thelbin e saj dhe të fokusohet në aspekte më të thella dhe më vitale të angazhimit të saj politik. Ai shtoi se partia duhet të mbrojë vlerat e demokracisë, edhe pse votat janë të rëndësishme, për LDK, vlerat janë më të rëndësishme se sa sukseset afatshkurtra.
“Mun të themi ‘kopsht rugovian’ të vlerave të lirisë dhe demokracisë, vlera këto që janë tipike për shoqëritë evropiane. Kjo është ajo që duhet të jetë angazhimi i LDK-së dhe i çdo aktivisti të saj,” tha Murtezaj në “Analizën Zgjedhore” në RTK.
Ai përmendi gjithashtu se megjithëse përqindjet e votave janë të rëndësishme për çdo parti politike, LDK duhet të fokusohet më shumë në ruajtjen dhe forcimin e vlerave demokratike të cilat kanë ndihmuar në ndërtimin e shoqërisë civile në Kosovë. Tutje, Murtezaj tha se LDK duhet të vazhdojë të punojë dhe të angazhohet për të sjellë zgjidhje afatgjata, duke ruajtur integritetin dhe vlerat themelore të saj, për t’u bërë një forcë politike më të fuqishme dhe më të përgjegjshme.
Në lidhje me zhvillimet dhe deklaratat brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valon Murtezaj theksoi se mendimi i lirë duhet të jetë i pranishëm në çdo organizatë politike dhe demokratike. Ai shtoi se personalitetet që kanë kontribuar shumë për partitë, jo vetëm që duhet të shprehin mendimet e tyre, por ato gjithashtu duhet të merren seriozisht në konsiderim nga të gjitha palët dhe aktorët brenda partisë. Murtezaj theksoi se brenda LDK-së ka pasur dhe do të ketë gjithmonë zëra të ndryshëm, duke theksuar se është e rëndësishme që të ketë një dialog të vazhdueshëm dhe të shëndetshëm brenda partisë.
E ftuar në studion e RTK-së analistja Besa Luzha tha se deklarata e Murtezajt ishte një thirrje për kreun e LDK-së. Ajo shtoi se Murtezaj ka kërkuar që zoti Abdixhiku të lërë anash egot momentale dhe të gjithë faktorët që po shkaktojnë pengesa për dialog dhe formimin e institucioneve. Luzha theksoi se, si parti serioze, LDK duhet të kontribuojë për të formuar institucionet, duke përmendur edhe mundësinë e krijimit të një qeverie teknike të unitetit, e cila, sipas saj, nuk do të ishte e dëmshme.
Profesori Bujar Dugolli tha se për ata që kanë fituar vota dhe mandate të qytetarëve, është e domosdoshme të sillen me përgjegjësi dhe të angazhohen për krijimin e institucioneve. Sipas tij, partia fituese ka përgjegjësinë kryesore për të nisur bisedimet dhe për të ftuar partitë që mund të kontribuojnë për formimin e qeverisë. Dugolli gjithashtu shtoi se edhe LDK-ja duhet të jetë konstruktive dhe t’i përgjigjet thirrjeve për bisedime, pasi nuk janë fitues të zgjedhjeve, ndërsa fituesi duhet të jetë i gatshëm të krijojë një stabilitet katërvjeçar dhe të sigurojë vazhdimësinë e procesit politik, përfshirë zgjedhjen e presidentit.
Ndërkaq, gazetari Muhamet Hajrullahu theksoi se nga LDK pritet të jetë serioze dhe unifikuese. “Kjo është ajo që unë e pres nga lidershipi i LDK-së. Në një demokraci është në rregull të ketë mospajtime dhe të shprehen mendime, por jo duke u barrikaduar në dy fraksione, të cilat nuk do ta çojnë LDK-në askund, por do ta shpiejnë në një humnerë, sepse këto fraksione do të ndikojnë edhe në nivelin lokal”, tha Hajrullahu.