Vedat Muriqit i është komplikuar edhe më shumë situata.
Ylli kosovar pritej të rikthehej javën e ardhshme në fushën e blertë pas lëndimit që e la jashtë fushës së blertë për plot dy muaj.
Mirëpo, rikthimi i “Piratit” më 13 janar kundër Celta Vigos duket se do të mbetet vetëm dëshirë.
Mediat spanjolle raportojnë se 29 vjeçari nuk ndihet ende i gatshëm për t’u rikthyer.
Madje, mediumi “Futbol Fantasy” raporton se përfaqësuesi kosovar mund ta humbasë edhe krejt muajin janar.
Edhe trajneri Javier Aguirre e konfirmoi një lajm të tillë në konferencën për shtyp para lojës së nesërme me Real Madridin.
“Nuk besoj se do ta kemi në dispozicion Muriqit gjatë janarit”, deklaroi ai.
Prizrenasit iu bënë testet së fundmi dhe ato konfirmuan se lëndimi i pulpës së pësuar më 12 nëntor në ndeshjen Kosovë – Izrael, nuk është kaluar në mënyrë të kënaqshme.
Fillimisht parashihej që Muriqi do të mungonte veç 4 deri në 6 javë, por tash po del që tërheqja muskulore në stadiumin “Fadil Vokrri” mund ta lë ish-futbollistin e Rizersporit, Fenerbahçes e Lazios gati tre muaj jashtë fushave të futbollit.
Muriqi është lojtari më i rëndësishëm i Mallorcës në tre sezonet e fundit dhe mungesa e tij është evidente tek ekipi ishullor.