Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, ka folur pas barazimit 0-0 ndaj Sllovenisë, duke theksuar se rivalët i detyruan “Dardanët” të mbroheshin më shumë në pjesën e dytë të ndeshjes.
Në një prononcim për RTK pas ndeshjes, kapiteni i Kosovës tha se skuadra kishte analizuar paraprakisht stilin e lojës së sllovenëve, të cilët mbështeten shumë në kundërsulme dhe topa të gjatë.
“Kisha pas qejf me shënu edhe tre pikëshin, por nuk e arrita. Ishte ndeshje e vështirë, Sllovenia u mbrojt sepse kanë provu me kundërsulme. Nuk e nënçmoj këtë pikë, sepse mund të na nevojitet muajin tjetër”, tha ai.
Muriqi shpjegoi se, për shkak të analizës taktike, vendosi të mos rrezikonte shumë në fazën ofensive.
“Para lojës e kemi analizuar se Sllovenia luan me topa të gjatë, sepse e kanë një sulmues që luan te Manchester Unitedi. Mendova se nuk është dashur të sulmoja shumë, por të jem më i tërhequr. Nuk e di a kam bërë mirë apo jo, por kështu e ndjeva lojën.”
Ylli i Mallorcas pranoi se pritshmëritë e tifozëve ishin të mëdha, megjithatë ndeshja doli të ishte shumë më e vështirë se sa pritej.
“Ka pasur një rënie të madhe sepse ndoshta euforia, pak edhe tifozët para lojës, bënë që të mendojmë për fitore të sigurt. Sllovenia na shtyu të qëndrojmë prapa, mori topin në gjysmën tonë të fushës dhe krijoi më shumë raste në 20 minutat e fundit. Duhet të nxjerrim mësime dhe të përgatitemi mirë për Suedinë”, theksoi Muriqi.
Kosova do të zhvillojë ndeshjen e radhës të hënën, në udhëtim ndaj Suedisë, sfidë që mund të jetë vendimtare për garën për vendin e dytë në grup.