Vedat Muriqi e ka bërë zyrtar transferimin e tij në Mallorca.
Sulmuesi kosovar e ka postuar një video në rrjetet sociale, ku shihet duke e fshirë letrën lamtumirëse dhe ndarjen me Mallorcan, që e kishte postuar javë më parë.
28 vjeçari e kishte kaluar gjysmë sezoni në formë huazimi në klubin spanjoll, ndërsa më pas ishte rikthyer përkohësisht në Lazio.
E dje, klubet arritën marrëveshje për kalimin e “Piratit” në klubin spanjoll, ndërsa ai pritet të nënshkruajë sot kontratë katërvjeçre, deri në vitin 2026.
Lazio pritet t’i fitojë 8-9 milionë euro nga shitja e ish-futbollistit të Fenerbahçes.
Muriqi ishte pranë transferimit në Club Brugge, por nuk i kaloi vizitat mjekësore në Belgjikë dhe u kthye mbrapshtë në Itali.
Por, duket se atij i ra më mirë pasi do ta ketë mundësinë të luajë në njërën prej ligave më të forta në Evropë.
Muriqi e pati një eksperiencë pozitive në Mallorca duke i shënuar 5 gola dhe duke i bërë 3 asistime në 16 ndeshje, me ç’rast e ndihmoi këtë ekip të mbetej në ligën elitare spanjolle.
Ai është bërë një lojtar mjaft i dashur për tifozët e Mallorcas.