Sulmuesi i kombëtares së Kosovës dhe Mallorcas, Vedat Muriqi, ishte i ftuar në emisionin “Jugam a Fora de Joc”.
Lojtari i Kosovës ka nisur sezonin shumë mirë, duke shënuar pesë gola në 10 ndeshjet e para, dhe gjithashtu deklaroi se qëllimi i tij është të bëhet golashënuesi më i mirë në historinë e klubit.
Kujtojmë se ai është gjashtë gola pas Arangos, ndërsa golashënuesi kryesor është Samuel Eto’o.
“Kam rinovuar kontratën me Mallorcan, dhe plani im është ta përfundoj këtu dhe të tërhiqem. Kur të tërhiqem, shpresoj të hap biznese në Mallorca dhe të mund të vij këtu dhe të flas për klubin dhe skuadrën”, tha ai fillimisht.
Më tutje, ai bëri me dije se si erdhi deri te transferimi i tij te Mallorca, pasi nuk po kalonte në fazë të mirë te Lazio.
“Kur isha te Lazio, më telefonoi Ortells, por unë refuzova ofertën. Pata shumë vështirësi në Itali, dhe kur isha në formë fizike, Sarri nuk më kishte në planet e tij. Desha të shkoja huazim te një ekip italian, por reputacioni im ishte shumë i dobët. Ortells më telefonoi sërish, dhe fillova të kërkoja referenca nga Mallorca, dhe prita. Nuk solla familjen sepse mendova se do të ishte vetëm për katër muaj. Erdha për katër muaj, dhe jemi këtu pothuajse pesë vite”, shtoi më tutje “Pirati” dardan.
Ai thotë me plotë vetëbesim se do të ndjek rekordin e Eto’os.
“Do të doja të bëhesha një legjendë e Mallorcas. Jam gjashtë gola larg për të kaluar Arango-n si golashënuesi i dytë më i mirë në La Liga. Mendoj se këtë vit do ta kaloj. Vitin e ardhshëm do të shkoj pas Samuel Eto’os”, tha Muriqi.
Muriqi vazhdon duke thënë se e dëshiron një titull me Mallorcan, për ta mbajtur si kujtim.
“Dua të fitoj një titull me Mallorcan, dhe pothuajse e arritëm dy vite më parë me Copa del Rey, sepse La Liga është shumë e vështirë. Do të doja të fitoja një trofe dhe ta mos harroja. Për mua, do të ishte një ëndërr e bërë realitet”, tha sulmuesi dardan.
Sulmuesi më tutje shpalosi objektivat e Mallorcas dhe të tij për këtë sezon.
“Do të jemi seriozë për Kupën, të fitojmë raundin e parë dhe ta marrim hap pas hapi. Ashtu si bëmë dy vite më parë, jemi të aftë dhe kemi skuadrën për ta bërë. Duhet të besojmë dhe ta tregojmë në fushë, jo vetëm me fjalë”, shtoi ai.
“Këtë vit kam punuar shumë fizikisht dhe mendërisht. Gjithmonë kisha dëmtime në muskujt e pasëm, dhe tani po punoj për parandalim para dhe pas stërvitjes. Kam vështirësi të fle pas ndeshjeve. Nuk më pëlqejnë tabletat. Natën e kaluar fola në 4 dhe u ngrita në 8 të mëngjesit”, ka thënë ai kur u pyet për lëndimet e pësuara.
Ai foli edhe për ‘problemet’ e tij me kequshqimin: “Shumë më pëlqente çokollata. Haj dy qese pas ndeshjeve. Kam qenë më i kontrolluar për dy vite. Po ashtu, pija shumë Coca-Cola, dhe tani pothuajse nuk e kam pirë për shtatë muaj”, përfundoi ai.






