Portieri i Kosovës, Arijanet Muric, synon një garë “dhëmbë për dhëmbë” me Zvicrën për vendin e parë në grupin kualifikues të Kupës së Botës 2026.
Në një podcast të publikuar në kanalin zyrtar të Federatës së Futbollit të Kosovës në YouTube, Muric tha se objektivi i tyre është vendi i parë në grup, duke theksuar se ekipi po kalon një formë të mirë fizike dhe psikologjike, dhe ka gjasa reale për fitore në ndeshjen kundër Sllovenisë.
Megjithatë, gardiani i Sassuolos shprehu keqardhje që nuk do të mund të luajë për shkak të pezullimit me kartonë.
“Kam besim të plotë te portierët e tjerë — ata stërviten njësoj si unë dhe japin maksimumin çdo ditë për t’u përmirësuar. Jam i sigurt që janë gati,” u përgjigj Muric kur u pyet nëse beson te bashkëlojtarët e tij në portë.
Kombëtarja e Kosovës do të zhvillojë ndeshjen e parafundit të kualifikimeve për Botërorin kundër Sllovenisë, më 15 nëntor.






