Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka thënë se tri komunat veriore të Kosovës të banuara me popullësi shumicë serbe kanë të drejtë të bashkohen me Serbinë.
Ai thotë se të drejtë vetëvendosje kanë serbët në veri të Ksovës ashtu siç kanë edhe shqiptarët në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.
“Unë jam për me ia dhënë të drejtën e vetëvendosjes, Leposaviqit, Zubin Potokun dhe Zveçanit të bashkohen me Serbinë. Unë mendoj që ata kanë të drejtë të bashkohen me Serbinë, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku. Serbët sipas mendimit tim, të Lëvizjes për Bashkim, kanë të drejtë të vetëvendosjes, sipas konceptit tonë, siç kanë të drejtë shqiptarët në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, siç do të duhej të kishin. Kjo është pikëpamja ime. Unë nuk kam probleme me të drejta, unë kam problem me projekte të cilat neve mund të na bëjnë jofunksionale, sepse Asociacioni i kombinuar me këto privilegje i pozicionuar me kishën”, tha ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Ai thotë që Asociacioni në çfarëdo forme që është i bashkon komunat.
“Unë mendoj që Asociacioni në çfarëdo forme në momentin që t’i i bashkon komunat, e ki një kryetar, e ki një asamble, e ki një Kuvend. Ata kanë me fillu me bë jetën e vetë, në kuptimin e kompetencave edhe të jetës të një dimensioni politik e madje konflikti që ti e ki me Serbinë, ty do të zhvendoset tash në konflikt jofunksionalitetit të Kosovës me Asociacionin”, u shpreh Murati.
Sipas tij, Serbia kushtimit mund të bëhet një ‘burrë i mirë’, i cili mund të ndërmjetëson pastaj në Asociacion.
“Serbia kushtimisht mund të bëhet edhe ai ‘burri i mirë’ që vjen ndonjëherë edhe negocion apo ndërmjetëson, siç mundet sot në Bosnje”, tha ai.