Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka dhënë sqarime lidhur me përfituesit e pagës së 13-të, pas miratimit të vendimit për zbatimin e saj.
Në mbledhjen e Qeverisë, ai theksoi se kjo pagë u takon punonjësve të sektorit publik që paguhen nga Buxheti i Kosovës.
Sipas tij, të gjithë ata që kanë përmbushur 12 muaj të plotë pune në sektorin publik do ta marrin pagën e 13-të të plotë. Ndërsa ata që nuk kanë një vit të plotë pune, do të përfitojnë një shumë proporcionale, në varësi të muajve sa kanë qenë të angazhuar.
Murati shpjegoi se në raste të tilla është rënë dakord me Thesarin që pagesa të bëhet në mënyrë të drejtë, duke llogaritur pjesën përkatëse për secilin muaj pune.
Ai shtoi se e njëjta praktikë vlen edhe për punonjësit me orar të pjesshëm, ku paga e 13-të llogaritet mbi bazën e mesatares së pagës së përfituar gjatë 12 muajve të fundit.
Ministri bëri të ditur gjithashtu se gratë në pushim të lehonisë do të trajtohen sikur të kenë qenë në punë me orar të plotë, në mënyrë që të përfitojnë pagën e 13-të të plotë.
Në fund, ai sqaroi se personat që janë të suspenduar, qoftë aktualisht apo më herët gjatë vitit, nuk do të përfshihen në listën e përfituesve të kësaj pagese.






