Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka takuar përfaqësues të lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, të cilët i kanë kërkuar votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës.
Sipas një komunikate për medie të Ministrisë së Financave, projektet e negociuara janë të rëndësishme dhe votimi i tyre në Kuvend është tejet i rëndësishëm.
“Së fundmi, përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe FMN theksuan se projektet që janë negociuar dhe paraqitur në Kuvend për votim janë kredibile dhe me ndikim të konsiderueshëm për ekonominë e Kosovës, prandaj edhe votimi i tyre nga Kuvendi i Kosovës është tejet i rëndësishëm”, thuhet në komunikatë.
Ministri Murati gjatë Takimeve Vjetore të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar që po mbahen në Marakesh të Marokos është takuar me z. Bo Li, zëvendës Drejtor Menaxhues i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), z. Alfred Kammer, Drejtor për Evropë nga FMN, si dhe znj. Antonella Bassani, zëvendëse Presidente për regjionin e Evropës dhe Azisë nga Banka Botërore.
Sipas komunikatës, në këto takime janë diskutuar një sërë çështjesh që lidhen me ecuritë e fundit ekonomike e fiskale, pritjet për vitin e ardhshëm dhe vitet në vijim si dhe për bashkëpunimin midis Ministrisë së Financave, Punë dhe Transfereve dhe FMN-së e Bankës Botërore.
“Për sa i përket zhvillimeve gjatë vitit 2023, Ministri Murati theksoi se përkundër vështirësive që vijnë nga ambienti i jashtëm, vlerësimet më të fundit tregojnë se rritja ekonomike do të jetë solide. Ministri Murati po ashtu informoi përfaqësuesit e lartë të FMN-së dhe Bankës Botërore për përformancën e mbledhjes së të hyrave buxhetore, me theks të veçantë tek të hyrat tatimore. Ai tha se ky është viti i tretë me radhë ku të hyrat tatimore kanë rritje dyshifrore, kjo falë aktivitetit të shtuar ekonomik dhe rritjes së efiçiencës në mbledhjen e tatimeve.
Gjatë takimeve u diskutuan edhe portfoliot e projekteve aktive dhe atyre në proces, ku përfaqësuesit falënderuan Ministrin Murati për angazhimin e tij të drejtpërdrejt në përshpejtimin e ekzekutimit të projekteve ekzistuese”, thuhet në komunikatën e MF-së.