Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar Projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2023, i cili mundëson rritjen e pagave në sektorin publik, në bazë të vlerës së koeficientit 105 euro.
Para komisionit, Projektligjin e arsyetoi ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili sqaroi edhe çështjen e shtesave të punëtorëve në sektorin publik në bazë të Ligjit për Paga.
Ministri Murati theksoi se 105 euro është koeficienti i pastër, teksa kjo vlerë sipas tij shkon më lartë për ata që kanë përvojë pune.
Për ata që kanë dhjetë vjet përvojë pune, Murati, tha se shtesa e përvojës së punës është 2.5 për qind, apo koeficienti përkthehet në 107.6 euro, për ata 20 vjet koeficienti i bie të jetë 111,6 euro, për ata me 30 vjet, koeficienti do të jetë 116.8 euro, teksa koeficienti më i lartë është për ata me 40 vjet përvojë pune, që koeficienti përkthehet në 122 euro.
“Shpeshherë kur po bëhen krahasime, po bëhen krahasime të pagës bruto me të gjitha shtesat që është aktuale me vetëm pagën bazë bruto. Natyrisht ky është krahasim i pasaktë për shkak se nuk është krahasimi i njëjtë. Psh nëse e marrim vetëm shtesën e përvojës së punës tani që llogaritet mbi pagën bazë dhe nëse do ta transferoni në koeficient, ta zëmë nëse dikush ka përvojë pune 0 vite, e ka vetëm koeficientin e pastër bazë 105. Por, nëse dikush do të kishte 10 vite përvojë pune, shtesa e përvojës së punës është 2.5 përqind ose nëse shumëzohet me koeficient do të dilte 107.6 koeficienti. Nëse do të kishte 20 vjet përvojë pune, shtesa për përvojën e punës për 20 vite është 6.25 përqind apo koeficienti do të përkthehej në 111.6 ose nëse shkojmë deri në 40 vjet përvojë pune, shtesa e përvojës së punës është 16.25 përqind ose nëse do të shumëzohej me koeficientin, do të kishim një koeficient 122. Pra dikush me 40 vjet përvojë pune, normalisht paguhet më shumë si rezultat i shtesës së përvojës dhe kjo është vetëm njëra nga shtesat që është shtesë universal. Për 30 vite, është 11.25 për qind që i bie nëse përkthehet te vlera e koeficientit, shumëzohet është 116.8 apo afërsisht 117”, tha ai.